Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Haki Abazi, ka hedhur fajin te opozita për mosmbajtjen e takimit për dëgjimin e kandidatëve për ambasadorë, duke e shtyrë mbledhjen për një datë tjetër.
Abazi në një njoftim në Facebook ka shkruar se deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi dhe ajo e AAK-së, Time Kadriaj kanë nënshkruar vetëm fletëprezencën dhe më pas kanë lëshuar mbledhjen, duke e bërë të pamundurën mbajtjen e takimit.
‘’Sot ka qenë e paraparë të mbahet takimi për dëgjimin e kandidatëve për Ambasador në vende të ndryshme. Prezent në takim kanë qenë: Adelina Grainca, Bahrim Shabani, Dimal Basha, Fitore Pacolli, Haki Abazi. Arjana Shoshi nga PDK dhe Time Kadrija nga AAK kanë nënshkruar në fletëprezencën dhe kanë lëshuar takimin duke e bërë të pamundur zhvillimin e dëgjimit të kandidatëve dhe rrjedhimisht dëgjimi shtyhet për një datë tjetër. Ky veprim është sabotim i procesit të caktimit të ambasadorëve. Gazmend Gjyshinca dhe Xhavit Haliti kanë paralajmëruar pamundësinë për pjesmarrje për shkak të vizitave jashtë vendit’’, ka shkruar Abazi në Facebook.
Por me këtë konstatim të Abazit nuk pajtohet deputetja e AAK-së, Time Kadriaj. Kadriaj në një prononcim për KOHËN e ka pranuar se e ka lëshuar mbledhjen, por ka shtuar se si opozitë nuk janë të detyruar t’ia bëjnë kuorumin pushtetit.
Kadriaj ka thënë se pozita ka numrat e nevojshëm për të mbajtur mbledhjet e Komisionit, dhe nuk ka asnjë arsye që opozita të fajësohet për dështimet e kësaj qeverie. Ajo ka akuzuar Abazin e ka prishur konfidencialitetin e intervistimit të kandidatëve për ambasadorë, pasi një mbledhje e tillë, sipas saj, nuk ka qenë e paralajmëruar në faqen e Kuvendit të Kosovës.
‘’Raporti i deputetëve është 7 me 4 në favor të pozitës. Nevojiten vetëm gjashtë deputetë për kuorum. Opozita nuk duhet të fajësohet për dështimet e kësaj qeverie. Ne e kemi lëshuar mbledhjen pasi nuk jemi të detyruar t'ia bëjmë kuorimin pushtetit. Shkarkimet e ambasadorëve kanë ndodhur në gjysmën e majit dhe kemi hyrë në muajin e katërt që nuk kemi të emëruar asnjë amabasadorë të ri. Ky dështim i atribuohet në mënyrë eksplicite kësaj qeverie. Abazi e ka prishur konfidencialitetin e intervistimit të kandidatëve për ambasadorë. A ka figuruar në faqe të Kuvendit që mbledhja do të mbahet sot? Jo, nuk ka figuruar sepse ka qenë sekrete’’, deklaroi Kadriaj për KOHËN.
Kritika për vonesën e emërimit të ambasadorëve ku Kosova ka mbetur pa përfaqësues diplomatik ka pasur edhe deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, më herët. Ai e ka kritikuar Qeverinë se po e godet veten nga brenda për të qenë e paralizuar jashtë.