Disa qen endacakë po sillen rreth oborrit të Universitetit të Prishtinës.
Me gjithë faktin se muaj më parë u larguan nga Komuna e Prishtinës, kampusi universitar ka filluar të rimbushet përsëri nga qentë endacakë.
Komuna e Prishtinës thotë se të gjithë qentë që kanë qenë këtu më parë janë marrë, janë trajtuar e janë dhënë për adoptim.
Drejtori i Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci, thotë se kanë informacione se qentë endacakë po sillen nga qytetet e tjera dhe po hidhen në qendër.
“Është e vërtetë që rreth kampusit universitar po shohim përsëri qen endacakë. Ka prej atyre që lëvizin nga një vend tjetër aty, por ajo që është shqetësuese, është se edhe persona tjerë kohë pas kohe po sjellin qen në Prishtinë e duke mos marrë përgjegjësi për ta e duke i larguar nga qyteti i tyre. Ne ndoshta tani për tani nuk e kemi mekanizmin e duhur për ta ndjekur këtë çështje, por jemi duke i rritur masat e sigurisë. Jemi duke e bërë një punë tepër të mirë”, ka thënë Brestovci.
Megjithatë, Brestovci thotë se ata janë duke punuar vazhdimisht në këtë drejtim dhe brenda pak ditësh do ta kenë edhe qenin e 1.000-të që do ta japin për strehim.
Elza Ramadani nga Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve, thotë se Komuna e Prishtinës nuk është duke e pasur një qasje të duhur të zgjidhjes së këtij problemi.
“Komuna e Prishtinës nuk është duke e pasur një qasje të duhur të zgjidhjes së këtij problemi. Nuk do të thotë që përmes qendrës së strehimit numri i qenve do të zgjidhet në Kosovë. Ne e dimë që ulet numri vetëm nëse merremi me rrënjët e problemit, që është braktisja e vazhdueshme, mbarështimi i qenve, shitja e jashtëligjshme e tyre e sidomos qentë me pronarë që i braktisin ata në rrugë. Ne si organizatë gjatë gjithë kohës e kemi potencuar që nëse lirohen vendet e zakonshme në qytet, ku ka pasur qen endacakë, kanë me u zëvendësua me qen të tjerë. Pasi te ne problemi i shtimit dhe shumimi i qenve endacakë është që braktisen vazhdimisht dhe braktisen ata që nuk janë kastruar dhe sterilizuar dhe ata vazhdimisht shtohen në mungesë të projekteve të kastrimit dhe sterilizimit”, u shpreh Ramadani.
Ramadani thotë se më mirë do të ishte sikur në qendër të riktheheshin qentë e vjetër dhe jo të dhuroheshin për adoptim.
“Një prej arsyeve pozitive të qenve në rrugë që i kemi pasë në qytet është se e kanë mbajtur territorin për vete dhe jo për qentë e tjerë. Faktikisht me disa qen komuniteti është mësuar përkundër se ka pasur ankesa pasi burrat i kanë sulmuar qentë dhe ata janë revoltuar, mirëpo në përgjithësi e kanë ditur që njerëzit në qendër i kanë ushqyer. Tani e kemi një problem se do të kemi qen të rinj, të cilët nuk i njohin njerëzit përreth dhe po shpresojmë të mos jenë problematikë pasi kjo pritet”, ka shtuar ajo.
E në qendrën për trajtim nuk janë ende gati boksat për strehim për të cilët ishte premtuar se do të përfundonin në vjeshtën e vitit të kaluar.
Kreshnik Vejsa, veterinar në këtë qendër, thotë se punimet janë duke u vazhduar dhe shpreson se shumë shpejt do të përfundojnë.
Aktualisht në këtë vend janë të strehuar pak qen endacakë, pasi të gjithë të tjerët thotë se janë dhënë për adoptim.
E sa u përket qenve të adoptuar, Ramadani thotë se kanë fakte se ata nuk po mbahen mirë, përderisa shton se Komuna nuk po iu përgjigjet kërkesave të tyre për t’i vizituar këta qen.
“Prej vitit të kaluar po kërkojmë të shohim qentë e adoptuar. Komuna po i fuqizon njerëzit që të hapin strehimore jashtëligjore. Nëse një person i merr 100 qen, kjo i bie që po strehon qentë, është strehimore ajo. Komuna e Prishtinës nuk është transparente pasi nuk ktheu asnjë përgjigje zyrtare. Baza ligjore thotë se kushdo që strehon qen endacakë e ka për detyrë të jetë transparente. Ne kemi marrë shumë fotografi të qenve që kanë qenë të adoptuar dhe që tashmë i kanë marrë mbrapsht aktivistët dhe i mbajnë ata. E kemi parë gjendjen e tyre jo të mirë. Ka qenë e dhimbshme gjendja e tyre. Mos të harrojmë që këta marrin para për mbajtjen e qenve. 50 euro në muaj për një qen dhe ato janë para prej taksave tona dhe duhet patjetër të mbahen mirë”, ka deklaruar Ramadani.
Qentë të cilët janë dërguar për trajtim në këtë qendër janë dhënë për adoptim në qytete të ndryshme të Kosovës.