Kuvendi i Kosovës nuk arriti ta zgjedhë mbrëmë gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese. Por mungesa e konsensusit për këtë çështje dhe ndikimi i mundshëm i politikës mbi kandidatët vlerësohen të dëmshme për procesin. Kuvendit i është kërkuar që sa më parë të shpallë konkurs të ri, tani kur Kushtetuesja ka dy gjyqtarë më pak. Ndërsa partive politike u janë bërë thirrje që të zgjedhin kandidatë profesionistë dhe të paanshëm politikisht.
Dekurajues vlerësohet dështimi i Kuvendit të Kosovës për ta zgjedhur gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese, kurse e dëmshme cilësohet lidhja e mundshme me politikën e kandidatëve për këtë pozitë.
Për pasojë konkursi do të rishpallet pasi as Vigan Qorrolli e as Haxhi Xhemajli, si kandidatë të listës së ngushtë, nuk i morën votat e mjaftueshme të deputetëve.
“Kjo po vazhdon edhe një avaz edhe nga e kaluara që ka pasur shumë përfolje që shumë nga gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese kanë pasur lidhje, kanë qenë anëtarë të partive apo simpatizantë të partive politike të cilët kanë qenë në pushtet në kohën e zgjedhjes së tyre dhe këto përfolje po vazhdojnë edhe tani edhe me qeverinë e re e cila udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje”, ka thënë Yll Zekaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.
Pozita e gjyqtarit është e ndjeshme, thotë Zekaj, andaj, sipas tij, për të ushtruar këtë detyrë duhet të përzgjidhen profesionistë me integritet të lartë e të pandikuar nga politika.
“Kjo edhe në të ardhmen do të jetë dekurajuese për të gjithë ata që nuk kanë lidhje politike për të aplikuar në këto pozicione dhe kështu që ne po e humbin kualitetin duke u orientuar te lobimi te partitë politike, pastaj ky lobim po përkthehet edhe në ndikim të partive politike ndaj këtyre gjyqtarëve”, ka deklaruar më tej ai.
Deputeti Adnan Rrustemi, i cili kryesoi Komisionin e posaçëm për shqyrtimin e nominimeve të kandidatëve për gjyqtarë, kërkon që sa më parë Kuvendi të shpallë konkursin e ri.
“Unë shpresoj që pa humbur kohë zhvillohen procedurat për të dy pozicionet dhe Kuvendi zgjedh gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese. Por pajtohem që nuk është gjë e mirë që për shkak të mungesës së konsensusit në Kuvend të prodhojmë ose të shkaktojmë jofunksionalitet në institucione të pavarura siç është Gjykata Kushtetuese në këtë rast”, është shprehur Rrustemi.
Kushtetuesja aktualisht ka dy gjyqtarë më pak, pasi ditë më parë Bekim Sejdiu dha dorëheqjen nga kjo pozitë.
Mirëpo institucioni më i lartë kushtetues thotë se gjykatës nuk i rrezikohet vendimmarrja pasi ka kuorumin e nevojshëm prej shtatë gjyqtarësh.
Procedurat e konkursit të fundit për zgjedhjen e gjyqtarit kanë zgjatur dy muaj.