Dëshmitë e një masakre të ndodhur në vitin 1998, vazhdojnë t’i rezistojnë kohës.
Fotografitë ruajnë imazhin e Valmirit të vogël të prerë në fyt, e palltoja e nënës së tij, Mihanes, ende ndodhet në vendin ku më shumë se dy dekada më parë është kryer masakra ndaj familjes Deliu të Abrisë së Epërme të Drenasit.
Por vendi ku u vranë e u masakruan nga forcat serbe rreth 20 anëtarë të kësaj familjeje nuk u vizitua asnjëherë nga institucionet e Kosovës.
Imer Deliut, të cilit në masakër iu vranë tre fëmijë dhe bashkëshortja, i janë shuar shpresat se do të vihet drejtësi për familjarët që prej rreth 24 vjetësh më s’i ka.
“Ngjarja e familjes Deliu është një ndër ngjarjet më të dokumentuara gjatë kohës së luftës, edhe kanë ardhur këta të Tribunalit të Hagës gjatë 2007, edhe më kanë intervistuar, në detaje e kam dhënë përshkrimin e kufomave se si kanë qenë ia kam dhënë edhe dy veg të granatave të dorës, të cilat i kam ruajtur si dëshmi, i kanë marrë dhe kurrë më nuk janë dokë. E nga institucionet tona asnjëherë nuk ka pasur interesimin më të vogël deri më sot, kështu në një formë ai optimizmi që ka qenë te unë e te plot familjarë, ai optimizëm është shuar”, tha Deliu.
Deliu tregon se pas masakrës, trupat e familjarëve të tij nuk i kishte varrosur për 3 ditë, vetëm me qëllimin që të dokumentoheshin mizoritë e Serbisë mbi civilët.
“Prej lagjes kemi shkuar në vend të ngjarjes, tani i kemi pa kufomat një pas një, edhe të gjitha kufomat i kemi kontrolluar pastaj nën trupin e Lumnijes, bashkëshortes, kam gjetur vajzën 6 javëshe Dituria, e cila kishte mbijetuar masakrën, thjesht si mburojë iu kishte bërë trupi i nënës së saj... Një nga ushtarët, Afrim Hysenaj, thotë se do të ishte mirë që t’i ruajmë kufomat dhe të vijnë mediat, dhe të shohin këtë krim që ka ndodhur, ne kemi pajtu”, tha Deliu.
Fotografitë e fëmijëve të vrarë të familjes Deliu janë shfaqur edhe në ballinën “Kohës Ditore”, të publikuar më 30 shtator të 1998, derisa, sipas raportimeve të mediave, masakra e Abrisë u bë si hakmarrje e egër e forcave serbe pasi që 5 pjesëtarë të tyre ranë në një minë të vendosur nga UÇK-ja, në afërsi të fshatit Likoc.
Për vite rresht, autoritetet ndërkombëtare e kanë pasur kompetencën për ndjekjen dhe gjykimin e krimeve të luftës. Ndërkaq, prej shtatë vjetësh këtë kompetencë e ka Prokuroria Speciale e Kosovës.
Ditë më parë ky institucion njoftoi se prokurorja e rastit ka dalë në vendin ku ndodhi një masakër tjetër – ajo e Mejës- në të cilën u vranë mbi 370 persona.
“Prokurorja e Shtetit në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, Drita Hajdari, njëherësh udhëheqëse e Departamentit të Krimeve të Luftës, së bashku me njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës, kanë bërë shikimin e vendit të ngjarjes në lidhje me masakrën e Mejës në Komunën e Gjakovës. Gjatë ditës, ekipi i udhëhequr nga Prokuroria Speciale ka shikuar dhe lokalizuar vendet ku janë kryer krimet, si dhe ka siguruar provat e nevojshme lidhur me këtë krim. Prokurorja, Drita Hajdari, gjatë vizitës në Mejë, saktësoi se sipas informatave aktuale, në këtë masakër “janë vrarë treqind e shtatëdhjetë e gjashtë (376) persona. Shumica e mbetjeve mortore janë gjetur, ndërsa disa persona janë ende të zhdukur”. Gjithashtu, prokurorja Hajdari potencoi faktin se “gjatë operacioneve ushtarake dhe policore të ushtrisë jugosllave, përveç vrasjeve të shumta janë shkaktuar edhe dëme të mëdha materiale, si djegia e shtëpive dhe plaçkitja e popullsisë civile, si dhe dëme të tjera materiale”, thuhet nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Por, në këtë prokurori nuk treguan se për cilat masakra janë duke zhvilluar hetime. Prej javës së shkuar ka munguar një përgjigje edhe për vizitat potenciale të prokurorëve në vendet ku kanë ndodhur krimet nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit.
Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare thotë se institucionet nuk kanë punuar sa duhet për zbardhjen e krimeve të kryera në Kosovë, ndonëse ka shumë dëshmi që janë publike.
“Me të vërtetë unë nuk e di se tash 23 vjet pas kryerjes së atij krimi masiv se sa është efektive që të bëhet shikimi i vendit të krimit, megjithatë mendoj që Meja, masakra e Mejës është dokumentuar kogja mirë para Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë apo Tribunalit të Hagës, kjo masakër është gjetur në aktakuzën edhe ndaj Shainoviqit dhe të tjerëve, edhe ndaj Gjorgjeviqit dhe është dokumentuar kogja mirë masakra. Në anën tjetër, Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi ka publikuar dosjen ‘Reka’, e cila unë mendoj që është një aktakuzë e gatshme, sepse përveçqë përmenden veprimet konkrete të ndodhura gjatë 27 dhe 28 prillit të vitit ‘99, në Mejë e në rajonin e Rekës, aty përmenden edhe përgjegjësit kryesorë”, tha Blakaj.
Përderisa mungon lëvizja e institucioneve, dëshmitë e krimeve ende mbijetojnë. Tavani i bodrumit i një shtëpie trekatëshe në Poklek të Drenasit ende mban gjurmë gjaku, sipër të cilit është dhoma ku ishte kryer masakra në më shumë se 50 civilë.