Arbëri

Dëshmitarja serbe përgënjeshtron dokumente të Kishës dhe MUP-it

Dëshmitarja Stamena Jeliq ka konfirmuar në Hagë se deklaratat paraprake për zhdukjen e burrit të saj, i janë ndryshuar pjesërisht. Ajo tha se ka gjëra që janë shtuar e që nuk i ka thënë në deklaratat e dhëna në Kishën Ortodokse Serbe dhe në Ministrinë e Brendshme të Serbisë, që njihet si MUP

Stamena Jeliq, e cila e ka burrin të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, ka dëshmuar në rastin gjyqësor në Hagë, në të cilin Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. 

Ajo e konfirmoi deklaratën paraprake, dhënë në Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS), ku tha se më 9 gusht, nga shtëpia e saj në Rahovec, tre pjesëtarë të UÇK-së ia morën burrin dhe që nga ajo ditë nuk e ka parë më. 

Megjithatë, ajo nuk i konfirmoi disa prej deklaratave të dhëna pranë institucioneve serbe.
Ajo mohoi një dokument të Kishës Ortodokse Serbe, që pretendon se familjarë të saj kanë dhënë informata pranë këtij institucioni dhe tha se shkresa përmban të dhëna të pasakta.

“Pikësëpari, bashkëshorti im nuk është zhdukur në qershor, por më 9 gusht. Se kush u ka thënë e çfarë ka thënë, unë nuk e di se çfarë lidhje ka kjo me mua dhe me familjarët e mi”, ka thënë dëshmitarja Jeliq.

Ajo nuk e konfirmoi as vërtetësinë e një dokumenti të Ministrisë së Brendshme të Serbisë, ku flitej për prezencë të Hashim Thaçit në Rahovec në kohën e luftës.“Ka shumë gjëra të shënuara këtu të ndryshme që nuk i kam thënë. Këtu thuhet po ashtu që Hashim Thaçi kishte ardhur në Rahovec. Nuk e kam thënë këtë, se është diçka që do ta kujtoja”, ka deklaruar kjo dëshmitare.

Avokatja e Thaçit, Nina Tavakoli, e pyeti dëshmitaren nëse e dinte që institucionet e Kosovës kanë bërë një hetim për zhdukjen e bashkëshortit të saj, për çka Jeliq tha se nuk është e informuar. 

Avokatja Tavakoli e pyeti atë nëse i kishte dhënë dëshmi EULEX-it, por dëshmitarja tha se vetëm e ka raportuar zhdukjen e bashkëshortit dhe se nuk ka pasur asnjë bisedë.