I akuzuari për krime lufte në rajonin e Vushtrrisë, Sllagjan Trajkoviq, është përballur të premten në Gjykatë me dëshminë e dy dëshmitarëve. Njëri prej tyre, Hakif Kosumi, ka treguar se në prillin e 1999-tës, forcat serbe patën mbledhur te varrezat e qytetit të Vushtrrisë banorë të shumtë të fshatrave përreth. E me këtë rast, ai ka thënë se i akuzuari ka përdorur shufër e lopatë për t’i rrahur civilët e grumbulluar, një pjesë e të cilëve më pas janë dërguar për në burgun e Smrekovnicës
Dy dëshmitarë kanë dëshmuar të premten në gjykimin kundër Slagjan Trajkoviqit, i akuzuar për krime lufte kundër popullsisë në Vushtrri, gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Dëshmitarët Hakif Kasumi e Gani Hasani treguan para trupit gjykues të Gjykatës Themelore në Prishtinë se e kanë parë të akuzuarin te varrezat e qytetit të Vushtrrisë, ku ata, bashkë me civilë tjerë shqiptarë, në fillimprillin e 1999-s u patën grumbulluar me dhunë nga forcat serbe.
Tek iu përgjigj pyetjeve të prokurores speciale, Florije Shamolli, dëshmitari Kasumi tha se Trajkoviqin e mban përgjegjës për rrahjen e civilëve të grumbulluar, më datën 6 të atij prilli.
“Çka ka bërë Sllagjani”, ka pyetur prokurorja Shamolli.
“Te varrezat ku na kanë mbledhë, Slagjani ka qenë me armë, me uniformë, kapelë nuk ka pas, ka mujtë sa ka sillë. Në dorë e ka pas një bisht kacije dhe shufër. Fillimisht na ka mshu me bisht të kacisë sa ka mujt, tani me shufër metalike”, është përgjigjur dëshmitari Kasumi.
Pas rrahjes, dëshmitari tha se forcat serbe i ndanë banorët në dy grupe, njërin prej të cilëve e dërguan për në burgun e Smrekonicës. E aty, ai mohoi ta ketë parë Trajkoviqin.
“Na kanë hyp në autobus, me kamion na kanë çu në Smrekonicë, aty jena kanë të rrahun, janë kanë policia, e aty ka pasë autoblinda. Nuk kemi pasë ushqim, as kushte higjienike. Aty nuk e kam parë Sllagjan Trajkoviqin. Po që në kamion na kanë rreh sa kanë mujt”, ka thënë dëshmitari Kasumi.
Dëshminë kundër Trajkoviqit, në Gjykatën Themelore në Prishtinë e ka dhënë dëshmitari Gani Hasani.
Edhe dëshmitari i dytë, Hasani, tha ta ketë parë të akuzuarin te varrezat në Vushtrri porse ka mohuar të jetë maltretuar prej tij.
“Te varrezat, Sllagjani ka qenë i veshur me uniformë, e me armë në dorë. Sllagjanin e kam parë në turmë, e kam njoftë mirë, si kojshi kanë qenë të mirë, s’kemi pasi probleme kurrë me të, as para e as pas lufte”, ka thënë Hasani.
Dëshmitarit Hasani, pyetje i shtroi edhe i akuzuari Trajkoviq.
“A ju kam ndihmuar unë vëllezërve e tu te varrezat, a është e vërtetë? Dhe a e kam goditur me shuplakë djalin tënd te varrezat”, ka pyetur i akuzuari Trajkoviq.
“Po, është e vërtetë”, ka thënë dëshmitari Hasani.
Sipas aktakuzës së ngritur në korrik të 2023-tës, i akuzuari Trajkoviq, serb nga Novolani i Vushtrrisë, akuzohet se në periudhën mes viteve 1998-1999, individualisht dhe në bashkëkryerje ka kontribuar në vrasje, bastisje, rrahje, maltretime, arrestime, tortura, trajtim çnjerëzor, mbajtje në kushte skllavërie, dëbim e depërtim të mijërave civilëve shqiptarë, si dhe në plaçkitje, djegie e shkatërrimit të shtëpive në fshatin Reznik dhe në fshatra të tjera të Komunës së Vushtrrisë.