Një dëshmitar e përshkroi në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhunën që, sipas tij, është ushtruar ndaj të burgosurve edhe nga i akuzuari Dragisha Milenkoviq. Gjatë dëshmisë së tij, Hamdi Gashi tha se nga të gjithë gardianët e Burgut të Prishtinës, ish-gardiani Milenkoviq është i dyti prej atyre që e ka keqtrajtuar më së shumti.
Dragisha Milenkoviq ishte njëri prej personave që e rrahu më së shumti në Burgun e Prishtinës e edhe para se të hynte në Burgun e Lipjanit, tha dëshmitari Hamdi Gashi, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Në seancën e së premtes, tek dëshmoi në rastin e Milenkoviqit, që akuzohet për krime lufte, ky dëshmitar foli për keqtrajtim të të burgosurve shqiptarë nga i akuzuari që ishte gardian në periudhën e luftës.
Dëshmitari Gashi tha se për nga ashpërsia vetëm një gardian shqiptar, Gani Tara, i ka shkaktuar më shumë vuajtje gjatë qëndrimit në burg. Sipas tij, Milenkoviqi ishte pjesë e kordonëve të formuar nga policë serbë, kah të cilët duhej të kalonin të burgosurit kur u dërguan nga Burgu i Prishtinës në atë të Lipjanit.
“Ky personalisht ka qenë me ekipin që ishte me 10 a 15 vetë nuk e di... Pa na shti n’burg t’Lipjanit ni herë na kanë pshtetë për ndërtese të gjithëve edhe me kry për muri. Ajo ka qenë ni fasadë e lyme me fasadë. Këta kur sjellshin me stupca t’bejsbollit, me shufra t’hekrit edhe me shufra t’gomës ka qikaq, kush e ka provu e di. M’sjellke mrapa... Kur i ka ra mrapa njërit nuk ka qenë i përgaditun, s’e ka mbajtë trupin fort edhe e ka shky ballin për fasade”, ka deklaruar dëshmitari Hamdi Gashi.
Dëshmitari tha se gardianët përdornin pretekste të ndryshme për të ushtruar dhunë ndaj të burgosurve.
“Ky edhe katër tjerë. Ka katër ardhshin. Jo me na rrehë me shuplaka, po me shufra na rrehshin. Serbisht qe i thonë “palica” ato që i kanë pasë këta. Veç me ba me çelë ni shpijunkë aty, si e çelshe shpejt, me bo me ta zanë dorën qishtu, hishin e t’rrehshin. Si ky, si krejt tjerët. Se ky nuk mun i lan edhe t’bamet e tjerëve, po duhet me u përgjegjë për sjelljet e tij. Nuk është ky i vetmi”, ka rrëfyer Gashi.
Gjatë seancës avokati Dejan Vasiq e politizoi rastin duke e fajësuar prokurorin Atdhe Dema për ngritje të aktakuzave në baza etnike.
Atij ju kundërpërgjigj prokurori Dema duke i thënë se nëse ka dëshmi të tilla duhet t’ua paraqesë organeve shtetërore dhe se ka hetime për krime lufte ndaj shqiptarëve.
Kryetari i trupit gjykues, Kujtim Krasniqi, ua dha paralajmërimin e fundit për të mos e penguar shqyrtimin gjyqësor.
Edhe pas seancës vazhdoi debati mes tyre lidhur me këtë akuzë.
Krahas gjykimit të Milenkoviqit, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për keqtrajtim në burgje gjatë luftës akuzohet edhe Gavrilo Milosavleviq, i akuzuar edhe për pjesëmarrje në masakrën e Dubravës.
Ndaj drejtorit të Burgut të Prishtinës, Lubomir Çimburoviq, dhe ish-gardianëve Milivoje Iliq dhe Predrag Bradiq, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë në mungesë, në mars të vitit të kaluar, mirëpo nuk është raportuar nëse është mbajtur shqyrtimi fillestar lidhur me ta.