Arbëri

Dëshmitari thotë se e pa Gjokoviqin të armatosur e të uniformuar gjatë luftës

Dëshmitari Shimo Bibulica ka deklaruar se të akuzuarin për krime lufte, Milorad Gjokoviq, e ka parë në Vitomiricë të armatosur gjatë luftës. Sipas dëshmitarit, i akuzuari ishte në treshen e njerëzve kryesorë të shtabit të forcave serbe në këtë fshat. Bubulica tha se pasi në mars 1999 iku për Mal të Zi atij iu dogj shtëpia, për çka e bëri përgjegjës shtabin ku bënte pjesë i akuzuari

Fqinji i të akuzuarit, Milorad Gjokoviq, gjatë luftës, Shimo Bibulica ka deklaruar para Gjykatës Themelore në Prishtinë se në mars të vitit 1999 e ka parë të akuzuarin gjatë luftës të armatosur dhe të uniformuar. Dëshmitari me kombësi boshnjake tha se dëshmitarin e njeh që nga shkolla fillore. Ai nuk ishte i sigurt për llojin e armës që tha se i akuzuari e mbante gjatë luftës, por përmendi një lloj të armës së gjatë.

“Mendoj se ka qenë me uniformë të policëve rezervistë… Mendoj se ka qenë me pushkë gjysmë automatike, nuk jam krejtësisht i sigurt”, tha dëshmitari.

Bugulica në dëshminë e tij tregoi se Gjokoviqi në fshatin e tij, përveçse ishte shef i zyrës komunale, ishte edhe në treshen udhëheqëse të forcave serbe për Vitomiricë, bashkë me Misha Stanishiq dhe Mishko Medenica.

“E kanë ditur të gjithë banorët e Vitomiricës”, tha Bibulica.  

Dëshmitari deklaroi se pasi iku për më Mal të Zi në mars 1999, meqë u frikësua për sigurinë e tij dhe të familjes së tij, shtëpia iu dogj dhe se për këtë dyshimet i ka te shtabi lokal ku bënte pjesë i akuzuari Gjokoviq. Tregoi se shtëpitë i kanë dy metra larg, por nuk ka folur me të akuzuarin pas luftës.

Kur u pyet nga prokurori special, Kastriot Memaj, lidhur me arsyen pse nuk pati kontakt me fqinjin e tij, ai u përgjigj duke i shpalosur dyshimet e tij se grupi i Gjokoviqit ia dogji shtëpinë. 

“Për arsye se tërë jetën jam munduar për atë shtëpi dhe në fund kam mbetur pa asgjë, ma kanë djegur shtëpinë, prandaj nuk kam kontaktuar”, tha dëshmitari.

Në pyetjen e avokatit të Gjokoviqit, Vasilije Arsiq, se a është kërcënuar ndonjëherë nga Gjokoviqi gjatë luftës, dëshmitari Bubulica tha se i akuzuari nuk e ka kërcënuar.

Dëshmitari po ashtu tha se nuk po i lejohet hyrja në Serbi, me pretekstin se ai e ka paraqitur të akuzuarin në polici. Ai i kërkoi gjykatës që të bëjë diçka në mënyrë që t’ia lejojë hyrjen në territorin e Serbisë, meqë ka familjarë që nuk ka mundur t’i vizitojë në Novi-Pazar.

Kryetari i trupit gjykues, Valon Kurtaj, tha se gjykata nuk ka ç’të bëjë lidhur me këtë çështje, teksa theksoi se nuk ekziston bashkëpunimi juridik-ndërkombëtar mes Kosovës dhe Serbisë.

Gjokoviq akuzohet për krime lufte në Ozdrim dhe në fshatrat përreth të Komunës së Pejës - pjesëmarrje në vrasjen e 11 civilëve shqiptarë, pesë prej të cilëve janë të zhdukur.

Në aktakuzë thuhet se më 7 maj 1999, nga të shtënat me armë të forcave serbe, ku bënte pjesë i pandehuri, u plagosën edhe tre persona që u mbijetuan plagëve. Prokuroria Speciale e ngarkon Gjokoviqin edhe për bastisje, rrahje, maltretim, arrestim, torturë, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, mbajtje në kushte skllavërie e dëbim me dhunë të dhjetëra civilëve shqiptarë. Sipas aktakuzës së ngritur në qershor të vitit 2023, Gjokoviqi ka marrë pjesë edhe në djegien e 62 shtëpive të familjeve Gashi, Shala dhe Krasniqi në Ozdrim e në fshatrat e tjera përreth.