Arbëri

Dëshmitari: Millosavleviqi mori pjesë në masakrën e Dubravës, shtinte mbi të burgosur nga kulla

Dëshmitari Skënder Rracaj ka thënë se e ka parë të akuzuarin për krime lufte në burgjet e Lipjanit, Prishtinës dhe Dubravës, Gavrillo Millosavleviq, në ditën kur ka ndodhur masakra në Dubravë. E një dëshmitar tjetër, pjesëtar i stafit të burgut gjatë viteve ’90, ka deklaruar se e ka parë të pandehurin në Burgun e Dubravës duke fotografuar e jo duke vrarë dhe keqtrajtuar shqiptarët e burgosur

Dëshmitari Skënder Rracaj ka thënë të enjten para Gjykatës Themelore në Prishtinë se i akuzuari për krime lufte, Gavrillo Millosavleviq, ka marrë pjesë në masakrën e Dubravës në vitin 1999.

Ish-gardiani Millosavleviq është i akuzuar edhe për keqtrajtimin e civilëve shqiptarë në burgjet e Prishtinës, Lipjanit dhe Dubravës.

Para trupit gjykues Rracaj ka thënë se i akuzuari ka qenë në kullën e vrojtimit, prej së cilës ai dhe të tjerë serbë kanë shtënë me armë zjarri ndaj të burgosurve shqiptarë në Dubravë.

I pyetur nga kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismaili, rreth asaj se çfarë i kujtohet nga ngjarja dhe se çfarë i kujton emri i të akuzuarit, dëshmitari ka theksuar se dita kur ka ndodhur masakra e përbën një kujtim prekës për të.

“Ato janë momentet më prekëse për mua. M’u kujtua ai momenti kur u bë pushkatimi i të burgosurve në fushë të sportit...Gagi ka qenë te karaulla lart dhe ku kanë dhënë urdhër për të na gjuajtur ndaj të burgosurve”, ka treguar dëshmitari para trupit gjykues. 
Rrecaj është shprehur se e ka parë të pandehurin edhe pas masakrës që ka ndodhur në fushën e sportit më 24 maj, kur atë dhe të burgosurit e tjerë të mbijetuar i kanë transferuar nga Dubrava për në Lipjan.

“Edhe tjetri (moment) është, që është shumë më e rëndë për ne për të keq. Më 24 maj ’99, kur na e kanë bërë transferin për Lipjan, kur na kanë detyruar t’i ngarkonim kufomat e shokëve tanë që i kanë vrarë këta, e në mesin e tyre ka qenë edhe i pandehuri që është këtu tash”, ka thënë ai.

Dëshmitari ka pasur edhe kontradikta në dëshminë e tij. E këtë e ka arsyetuar me problemet që i ka me harresën teksa ka shtuar se merr edhe qetësues, me përshkrim të mjekut.

Gardianët e burgut, sipas Rrecajt, kanë hyrë vazhdimisht nëpër dhoma dhe e kanë rrahur atë dhe të burgosurit e tjerë shqiptarë, pa asnjë arsye. E kur të burgosurit i janë ankuar Kryqit të Kuq Ndërkombëtar gjatë vizitave të tyre, gardianët u janë hakmarrë me më shumë dhunë ndaj tyre.

Në seancën gjyqësore të mbajtur të enjten ka dëshmuar edhe Bajram Behluli. Ish-gardiani në Burgun e Dubravës gjatë viteve ‘90 ka thënë ta ketë parë të pandehurin në disa raste me fotoaparat, duke bërë fotografi.

“Në pranim kur kanë ardhur të burgosurit e kam parë me një aparat në dorë për ta bërë fotografimin e të dënuarve”, ka  theksuar ai.

Dëshmitari, i cili ka punuar në Burgun e Dubravës deri më 15 qershor të vitit 1998, periudhë që e përfshin luftën në Kosovë, ka theksuar se nuk e ka parë Millosavleviqin tek i ka keqtrajtuar të burgosurit.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale, i pandehuri Millosavleviq akuzohet se më 22 maj të 1999-s ka marrë pjesë në vrasjen e 109 të burgosurve dhe në plagosjen e 108 të burgosurve të tjerë shqiptarë në masakrën e Dubravës. Sipas Prokurorisë, hetimet kanë siguruar prova të mjaftueshme relevante juridike që dëshmojnë se i pandehuri, në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë dhe ka kontribuuar në kryerjen e veprës penale për të cilën akuzohet.

Nga 19 deri më 24 maj të vitit 1999, gjatë kohës së luftës në Kosovë, rreth një mijë shqiptarë ndodheshin në Burgun e Dubravës. Aty forcat serbe kanë kryer njërën nga masakrat më të mëdha në Kosovë, duke vrarë 160 të burgosur shqiptarë dhe duke i lënë të plagosur më shumë se 300 të tjerë.

Masakra në Burgun e Dubravës është cilësuar edhe më herët nga përfaqësuesit politikë në Kosovë si një nga krimet më monstruoze, për të cilin ende askush nuk është gjykuar.

Në luftën e zhvilluar në Kosovë në vitet 1998-1999 janë vrarë mbi 13 mijë civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur. Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.