Arbëri

Dëshmitari: Milenkoviqin e pashë mes turmës së rreth 15 personave që më pasi hodhi mjete shpërthyese

Në seancën gjyqësore për sulmin e dhjetorit të 2022-tës në zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicë të Veriut, dëshmitari Idriz Idrizi tha ta ketë parë të akuzuarin Milun Milenkoviq mes turmës së rreth 15 personave në kohën kur ndodhi sulmi. Të akuzuarin tjetër, Aleksandër Vlajiq, ai tha se e ka parë tek e monitoron situatën, ndërsa Dejan Pantiqin derisa ka qëndruar afër zyrave të KKZ-së.

Zyrtari policor, Idriz Idrizi, ka dëshmuar të premten para Gjykatës Themelore në Prishtinë, në rastin për sulmin terrorist në zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicë të Veriut, dhjetorin e vitit 2022.

Para trupit gjykues, ai theksoi se në natën e 6 dhjetorit e pati parë të akuzuarin Aleksandër Vlajiq tek bënte fotografi te zyrat e KKZ-së.

“Aleksandër Vlajiq u ndalu për një periudhë dhe ka bërë fotografi derën dhe xhamat e kësaj zyre dhe ka vazhdu në drejtim të shtëpisë së tij. Unë duke e njoftë prapavijën e tij, duke ditë që ka shumë kontakte dhe e kam marrë në monitorim duke i shkuar prapa”, deklaroi Idrizi.

Me të arritur veturat e policisë dhe ato të komisionarëve, Idrizi tha se një grup prej 15 personash, në të cilin qe edhe i akuzuari tjetër Milun Milenkoviq, hodhi mjete shpërthyese brenda zyrave të KKZ-së.

“Kanë hedh diçka në zyrat e KKZ-së dhe kanë ikë, e më pas kanë ndodhur dy shpërthime të mëdha brenda zyrës. Mirëpo, duhet të potencohet që në grupin e 15 personave, kemi vërejtur Milun Milenkoviq, ndërsa e kam vrejtë Aleksandër Vlajiqin vetëm e ka monitoru situatën”, tha Idrizi.

Në vendin e ngjarjes, Idrizi tha se e ka parë edhe të akuzuarin Dejan Pantiq.

“Milun Milenkoviqi ka qenë prezent gjithmonë, ka pasë lëvizje të shumta në trotuar, rrugë. Pantiqin e kam parë vetëm një herë duke kaluar nga ana e djathtë në të majtë. Në dorë ka pasë një qese të gjelbër apo të kaltër nuk më kujtohet. E kur ka ardhë autoambulanca, Milenkoviqi ka shkuar në drejtim të saj dhe të gjithë kanë shkuar në drejtim të saj. Po nuk kam arritë me dallu se çfarë kanë bërë te autoambulanca”, deklaroi dëshmitari.

Pas pyetjeve të prokurorit për dëshmitarin, seanca u shty për datë tjetër, pasi mbrojtja e të akuzuarve kërkoi kohë për t’u përgatitur për rastin, ani se prokurori special, Bekim Kodraliu, shprehi kundërshtim.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, më 6 dhjetor të 2022-tës u realizua sulmi terrorist ndaj KKZ-së në Mitrovicë të Veriut e një autoambulancë u përdor për bartje të granatave të dorës, të cilat i mori i akuzuari Milun Milenkoviq, i njohur si Llune. Pos tij, Vlajiq, Pantiq e Vakiq përballen me akuzat se kanë hedhur granata dore dhe shok bomba me qëllim të detyrimit të organeve publike të Kosovës për t’u tërhequr nga organizimi i zgjedhjeve të 23 prillit në veri.