Dëshmitari Nazmi Maloku ka dhënë dëshmi kundërthënëse në gjykimin e ish-kryetarit të Skenderajt dhe shtatë të tjerëve për frikësim të dëshmitarëve të rastit për krime lufte, i emërtuar “Drenica”. Gjatë seancës dëshmitari që ka qenë i mbrojtur fillimisht ka deklaruar se është kërcënuar ndërsa më pas ka thënë se nuk është kërcënuar nga të pandehurit
Në seancën gjyqësore ndaj tetë të akuzuarve për krim të organizuar lidhur me ndikimin te dëshmitarët e rastit “Drenica”, dëshmitari Nazmi Maloku ka dhënë të mërkurën deklarata kundërthënëse.
Në këtë rast të akuzuar janë ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, si dhe Ismet Haxha, Rrustem Rukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjaku, Skënder Tahiri, Bajram Dibrani dhe Sheremet Jashari.
Tek u është përgjigjur pyetjeve të trupit gjykues, Maloku ka thënë se asnjë nga të akuzuarit nuk e ka frikësuar për ta ndryshuar dëshminë për rastin e krimeve të luftës “Drenica”. Por paraprakisht, tek u është përgjigjur pyetjeve të mbrojtjes së të akuzuarve, ai ka theksuar se Rexhep Xhota e ka kërcënuar në emër të Lushtakut.
“Ka ardhë e m’i ka kërkuar çelësat e banesës... Më tha a pak zi të kanë bërë e prapë po shtyhesh me fjalë me ta”, ka thënë dëshmitari Maloku.
Ai ka theksuar po ashtu se Rexhep Xhota e ka vizituar vazhdimisht vendin në të cilin ai ka pirë kafe dhe ka shtuar se të tjerëve u ka thënë se Maloku është spiun.
E gjatë seancës së të mërkurës spiun e ka quajtur edhe i akuzuari Sami Lushtaku, pasi që dëshmitari ka pretenduar se në vitin 2000, nëpërmjet njerëzve të cilët i ka pasur në pushtet, ia ka vrarë dy fëmijë në Gjinekologjinë e Qendrës Klinike Universitare (QKUK).
“Nuk e di unë a jam në bankën e të akuzuarve a është ky. S’po e marr vesh këtë. Kisha pasë qef me e ditë?!”, ka thënë i akuzuari Lushtaku, tek është përfshirë në polemika me dëshmitarin.
“Po më akuzoni për spiun... Unë jam dëshmitar, por ju po më akuzoni qe 25 vjet për spiun”, i ka thënë Maloku të akuzuarit Lushtaku. E kur Lushtaku e pyeti se kush e ka akuzuar, dëshmitari ka thënë se edhe ai, mes të tjerëve.
“Kur?”, e pyeti i akuzuari. “Ti e di kujt i ke thënë”, i është përgjigjur dëshmitari.
“Unë tash po të them se je përnjëmend spiun ti, bir spiuni”, i ka thënë Lushtaku dëshmitarit, i cili i është përgjigjur duke thënë: Mos, se unë kam shkuar në luftë e kurrë me spiunazh nuk jam marrë, me spiunazh është marrë ky”.
Trupi gjykues nuk i ka dhënë vërejtje Lushtakut për gjuhën e përdorur. E Lushtaku ka thënë se akuza për vrasjen e fëmijëve është shumë e rëndë.
“Nuk mundet ky kaq lehtë të thotë që ti je fajtor për vrasje në vitin 2000, kur kurrë as që e kam njohur atë”, ka theksuar i akuzuari.
Dëshmitari Maloku ka deklaruar se asnjëherë nuk ka dhënë dëshmi për rastin “Drenica”, porse ka shtuar që teksa në një rast ka qenë në EULEX për të kërkuar ndihmë për gruan e tij të sëmurë, prokurorët e misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë i kanë “premtuar përfitime milionëshe nëse bëhej dëshmitar i mbrojtur, me kushtin që t’i thotë gjërat që i kërkohen”.
Seanca e radhës lidhur me rastin është caktuar që të mbahet më 22 e 28 prill.