Dëshmitari i 105-të në rastin më të madh të Speciales ka nisur dëshminë e tij.
Dëshmitari i mbrojtur ka folur serbisht. E prokurori i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Cezary Michalczuk, në përmbledhjen publike lidhur me këtë dëshmitar, tha se ai është ndaluar për disa ditë dhe është keqtrajtuar nga pjesëtarë të UÇK-së.
“Në vitin 1999 dëshmitari 00344 u rrëmbye nga pjesëtarë të armatosur të UÇK-së përpara shtëpisë së tij dhe u dërgua me makinë së bashku me një tjetër person në një vend ndalimi të UÇK-së. Dëshmitari 00344 është mbajtur në këtë vend me disa të ndaluar të tjerë. Gjatë ndalimit të tij ai është rrahur në mënyrë të vazhdueshme dhe ka dëgjuar që edhe të ndaluar të tjerë janë keqtrajtuar në shumë raste. Dëshmitari 00344 është liruar pak ditë pasi u ndalua dhe është larguar nga Kosova disa ditë më pas. Si rezultat i keqtrajtimit të tij gjatë ndalimit, ai vazhdon edhe sot e kësaj dite që të vuajë nga probleme të ndryshme fizike dhe psikologjike”, tha Michalczuk.
Prokurori e pyeti dëshmitarin edhe nëse i është prezantuar ndonjë akuzë penale. E dëshmitari u përgjigj se as që është marrë në pyetje. Tha se gjatë ndalimit është akuzuar se ka vrarë shqiptarë.
“Jo. Drejtpërsëdrejti nuk ma kanë bërë asnjë pyetje. Thjesht më kanë akuzuar se kam vrarë disa shqiptarë, por ajo s’kishte kuptim fare, ishte vetëm pretekst për rrëmbimin tim”, tha dëshmitari.