Arbëri

Dëshmitari i 86-të, sipas Prokurorisë, u rrah e u keqtrajtua nga UÇK-ja

Edhe dëshmia e dëshmitarit të 86-të të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në rastin “Thaçi dhe të tjerët”, është dhënë në seancë të mbyllur. Në prezantimin e shkurtër që e bëri prokurori për përmbajtjen e dëshmisë se tij, tha se ai është rrahur e keqtrajtuar nga një grup anëtarësh të armatosur të UÇK-së

Në Hagë ka nisur dëshminë dëshmitari i 86-të i Prokurorisë në rastin ku për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit akuzohen ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Identiteti i dëshmitarit është mbrojtur dhe dëshmia është zhvilluar në seancë private, ku nuk ka pasur qasje publiku. 

Mirëpo, një përmbledhje të shkurtër të dëshmisë së tij e dha prokurori Cezary Michalczuk.

“Në mes të qershorit 1999 dëshmitari u rrëmbye pranë minierës së fshatit Bardh i Madh në Fushë-Kosovë nga një grup anëtarësh të armatosur të UÇK-së. Dëshmitari u lidh, u keqtrajtua dhe u dërgua në vende të ndryshme të UÇK-së në atë zonë. Në të gjitha ato vende atë e rrahën ushtarët e UÇK-së, përfshirë edhe komandantë të cilëve ua ka dhënë edhe emrat”, ka thënë prokurori Michalczuk.

Pas dy javë mbajtjeje u lirua dhe më pas u largua nga Kosova dëshmitari që tha se gjuhë amtare ka serbishten.

Në shkresat e lëndës thuhet se dëshmitari vazhdimisht është rrahur nga pjesëtarë të UÇK-së, mirëpo një pjesë e madhe e informatave që kanë të bëjnë me vendin dhe kohën janë të redaktuara për ta mbrojtur identitetin e tij.

“Dëshmitari u transferua në një shtëpi. Ai u mor në pyetje nga komandanti i UÇK-së i cili, ndër të tjera, kërcënoi me ekzekutim. Më pas, në Shtabin e UÇK-së u mor në pyetje dhe u rrah. Dëshmitari u transferua në një fshat dhe u mbajt në objektin e paraburgimit të një vendi lokal të UÇK-së. Ai rrihej çdo ditë”, shkruan në këto dokumente.

Deklaratë për këto ngjarje ai i kishte dhënë edhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë e po ashtu pati dëshmuar edhe në Tribunalin e Hagës për ish-Jugosllavi, por nuk u përmend se në cilin rast. 

Deklaratat e tij dhënë Zyrës së Prokurorisë u pranuan pa kundërshtime nga mbrojtja.