Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë po vazhdon dëshminë dëshmitari i 120-të ZPS-së i cili mban kodin W00542 në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitari iu drejtua prokurorit Cezary Mihailzcuk duke i thënë se edhe tash që është duke dëshmuar është i stresuar dhe do të ishte mirë që të mos e merrnin në pyetje.
Ai shtoi se do ishte mirë që të lirohet dhe të mos keqtrajtohet më nga asnjë gjykatë.
Edhe tash që jam këtu jam i stresuar. Do të ishte më mirë që të më lironi e mos të më bëni pyetje më për të dhe të mos thirrem më nga asnjë gjykatë dhe të mos me keqtrajtoni më”, tha dëshmitari.
Fillimisht ai mohoi se gjatë kohës që është mbajtur i ndaluar iu është komunikuar ndonjë akuzë.
Ndërsa, për të afërmin e tij dëshmitari tha se nuk e di se a ishte informuar për ndonjë akuzë pasi sipas tij ai nuk ia kishte thënë asnjëherë.
“Nuk e di. Ai vdiq ndërkohë kështu që nuk e di”, tha ai.
Ai shtoi se i afërmi i tij nuk ia tha asnjëherë nëse ka pasur ndonjë akuzë ndaj tij pasi sipas tij ai nuk ka dashur që të flas për këtë rast.
“Jo asnjëherë. Nuk deshi që të flisnim për këtë rast që të mos stresohesha, shqetësohesha unë. Prandaj, ne nuk flisnim për këtë çështje”, tha dëshmitari.
Dëshmitari mohoi se iu dha ndonjë shpjegim se pse u ndalua, por tregoi se për shkak të ndalimit ka pasoja shëndetësore.
“Kam probleme shëndetësore të shumta. Nuk e di- Çka s’kam si probleme. Nuk e di se çka të iu them sinqerisht. Edhe tash që jam këtu jam i stresuar. Do të ishte më mirë që të më lironi e mos të më bëni pyetje më për të dhe të mos thirrem më nga asnjë gjykatë dhe të mos me keqtrajtoni më”, tha dëshmitari.
Si rrjedhojë, prokurori lexoi shënimin përgatitor ku tregoi për pasojat shëndetësore që sipas tyre i janë shkaktuar dëshmitarit gjatë ndalimit dhe keqtrajtimit. Ato i pohoi edhe dëshmitari kur u pyet se a është e vërtetë.
Me kaq përfunduan pyetjet e prokurorit Cezary Mihailzcuk. Ndërsa, mbrojtësi i viktimave tha se nuk e përfaqëson atë dhe se nuk ka pyetje. Kunderpyetjet në seancë private i vazhdoi mbrojtja e Hashim Thacit e përfaqësuar nga avokatja Nina Tavakoli./Betimi për drejtësi
Sylejman Selimi nis dëshminë në Hagë, garantohet që s'do të ndiqet penalisht
Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit 120-të me kodin W00542, në Hagë ka filluar dëshminë Sylejman Selimi i cili mban kodin 04290 në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqt.
Ky dëshmitar pohoi se është djali i axhës së Rexhep Selimit dhe sot në Hagë është duke u përfaqësuar nga avokati Artan Qerkini, i cili kërkoi garanci për klientin e tij sipas Rregullës 151 të procedurës dhe provave raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Keni garancitë që parashikohen. Do të thotë që nuk do te ndiqeni penalisht. Në qoftë se do të jepni dëshmi, këtë dëshmi do ta keni rastin siç e kemi tani që dëshminë do ta jepni në publik në kuptimin që ju mund të ndiqeni përtej gjykate. Megjithatë, ju e keni të drejtën që dëshminë tuaj ta jepni me dyer të mbyllura që do me thënë do të ulën perdet dhe që askush të mos iu dëgjojë”, tha kryegjyqtari.
Prokurori Matt Halling nuk pati kundërshtime sa i takon garancive që iu ofruan dëshmitarit.
“Mbrojtja që iu jepet përmes garancive është që kjo gjykatë nuk do të iu ndjekë penalisht apo nuk do të nxjerrë asnjë informacion që na e jepni ne për palë të tjera. Megjithatë kur jepni dëshmi në publik, ky informacion që do jepni i takon që i dëgjon i gjithë publiku”, tha kryegjyqtari.
I pyetur se në çfarë forme do të dëshmojë, dëshmitari tha se dëshiron që të dëshmojë në seancë publike.
Më pas, kryegjyqtari e njoftoi atë se pasi iu janë dhënë garancitë dhe në rast që dëshmitari refuzon të dëshmojë kjo do të sanksionohet me vendosjen e një gjobe. Si rrjedhojë, garancitë u miratuan për dëshmitarin.
Sipas kryegjyqtarit, dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjasë rreth katër ditë. Prokuroria ka vlerësuar se i duhen pesë orë për pyetje. Ndërsa, ekipet e mbrojtjes i duhen 14 deri në 16 orë për kundërpyetje.