Arbëri

Dëshmitari i 106 në Speciale dëshmon lidhur me akuzat për keqtrajtim

Thaçi dhe të tjerët

Foto: Arkiv

Dëshmitari i 106-të në rastin më të madh të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë po dëshmon lidhur me "keqtrajtim dhe ndalim nga pjesëtarët e UÇK-së". 

Dëshmitari me mumrin 04393 po dëgjohet në seancë të mbyllur (private). Lidhur me dëshminë e tij paraprake në ZPS, e bëri një përmbledhje prokurori Cezary Michalczuk. Ai tha se dëshmitari u rrëmbye nga persona të maskuar.

"Në 1998-n dëshmitari 04393 u rrëmbye nga tre persona të armatosur dhe me maska që mbanin uniforma të zeza të UÇK-së dhe emblemën e UÇK-së, e çuan në një vend të UÇK-së dhe e mbajtën të ndaluar për disa ditë. Atje i kanë bërë pyetje anëtarët e UÇK-së dhe është keqtrajtuar në mënyrë të përsëritur", tha Michalczuk.

Në këtë rast, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, akuzohen lidhur me ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në bazë të aktakuzës së ZPS-së e publikuar në shkurt të vitit 2023, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me rreth 100 vrasje, pastaj për tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës 1998-1999.

ZPS-ja pretendon se ata kryen ndërmarrje të përbashkët kriminale që ndërlidhet me gjashtë akuza për krime lufte. Ndaj tyre janë ngritur edhe katër akuza për krime kundër njerëzimit. Shumica e viktimave të krimeve, sipas ZPS-së, janë shqiptarë, civilë dhe pjesëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Sipas ZPS-së, të akuzuarit kanë qenë në dijeni apo është dashur të jenë në dijeni shkaku i pozitave udhëheqëse në Shtab të Përgjithshëm lidhur me pretendimet për krimet që janë kryer dhe kanë pasur qëllim ta marrin pushtetin në Kosovë përmes tyre.

Ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza. Ata kanë thënë se UÇK-ja nuk kishte hierarki të tillë, meqë peshën e mbanin komandantët e zonave dhe se qëllimi ishte të luftohej Serbia e jo civilët.