Ferat Morina dëshmoi në Gjykatën Themelore në Prishtinë për vrasjen e vëllait të tij në luftë. Ai tha se në Ozdrim të Pejës i pa tek i afrohen viktimës, i akuzuari Millorad Gjokoviq, si dhe Mumo Vukotiq, dhe theksoi se të dy duhet të përballen në gjykatë dhe të tregojnë se cili shtiu në kokë
Ferat Morina e mban përgjegjës Millorad Gjokoviqin, për vrasjen e vëllait të tij në maj të vitit 1999, të Ozdrim të Pejës.
Morina të martën e përmbylli dëshminë në rastin gjyqësor, në të cilin Gjokoviqi akuzohet për krime lufte.
Ai ka kërkuar që në gjykatore të sillet edhe Mumo Vukotiq, si bashkëpjesëmarrës në këtë vrasje.
“Unë e kam parë kush është afruar afër tij, e kush e ka shkrepë plumbin në kokë, e dinë më së miri këta dy që kanë qenë. Kur të bëhen bashkë këta të dy le t’i tregojnë njëri-tjetrit, jo ti je fajtori, jo unë”, ka thënë dëshmitari Morina.
Ai ka theksuar se Gjokoviqi ka qenë epror i paramilitarëve.
“Unë e di, ky që gjendet në sallë, ky e di më së miri kush e ka vrarë, me bashkëpunëtorët e vet, se ishte zëvendëskomandant i paramilitarëve, edhe grupit që kanë bërë planin që qëllimisht të vriten Krasniqët, Morinët, Shaljanët”, ka thënë ai gjatë dëshmisë.
Ky dëshmitar theksoi se në fshatin Ozdrim, forcat paramilitare serbe nuk kursyen asgjë.
“Aq shpirt kanë pasur saqë edhe qenin e lopën e shtëpisë ma kanë vrarë. Këta janë munduar të na zhdukin e të mos ekzistojmë. Nuk më kanë zënë edhe mua, sepse nuk do të isha as unë. Këta na kanë njohur”, ka thënë dëshmitari Morina.
Gjokoviqi, akuzohet se në fshatin Ozdrim të Pejës dhe në fshatra përreth, ndaj dhjetëra civilëve shqiptarë ka aplikuar masa të vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, mbajtjes në kushte skllavërie, dëbimit dhe depërtimit.
Gjykimi ndaj Gjokoviqit, ka nisur në verën e vitit 2023.