Ish-gardiani serb, Dragisha Milenkoviq, ka dëgjuar dy dëshmitarë, të cilët kanë thënë se ai ka marrë pjesë në rrahje e maltretim të të burgosurve. Njëri nga dëshmitarët tha se është rrahur me shkopinj gome e me kabllo rryme, kurse tjetri tregoi se gardianët bënin kordonë të gjatë dhe i detyronin të burgosurit të kalonin nëpër të, derisa i rrihnin me mjete të forta.
Dy ish të burgosur kanë dëshmuar të enjten për torturat që kanë përjetuar në Burgun e Prishtinës dhe në atë të Lipjanit gjatë viteve 1997-1999, nga ish-gardiani Dragisha Milenkoviq, i cili është duke u gjykuar për krime lufte.
Fillimisht në foltore të Gjykatës Themelore në Prishtinë doli Ali Gjyliqi, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare. Ai tha se është rrahur edhe në Prishtinë e edhe kur është transferuar në Lipjan, dhe aty e ka parë dhe njohur të akuzuarin Milenkoviq.
“Edhe ky i akuzuar, si shumë të tjerë, kanë rrahur, maltretuar në mënyrat më çnjerëzore të burgosurit shqiptarë... na kanë nxjerrë nga dhomat dhe në korridor ose ndonjëherë në hapësirën që është shfrytëzuar për shëtitje për ajrosje, na kanë rrahur me shkopinj gome, me kabllo të rrymës, me bisht fshese apo çkado që ka qenë afër”, ka thënë Gjyliqi.
Dëshmitari tjetër nuk foli në të njëjtën gjykatore. Salla e gjykimit u ndërrua pas një problemi teknik me mbajtje të procesverbalit.
Aty dëshminë e filloi Arsim Zyba, i cili tha se ishte rrahur e maltretuar nga i akuzuari Milenkoviq.
“Më ka pyetur për çka përgjigjesh ti. Unë nuk e kam kuptuar dhe më ka marrë dhe më ka nxjerrë në korridor dhe më ka rrahur”, u shpreh Zyba.
Zyba tha se emrin dhe mbiemrin e Milenkoviqit ia kishte treguar një i burgosur tjetër me të cilin e ndante qelinë.
“Mua më kujtohet gjithmonë që ky ka qenë pjesëmarrës në çdo kordon që ka qenë”, ka shtuar Zyba.
“A e ke fjalën për këtë Dragishën?” e ka pyetur prokurori Atdhe Dema.
“Po, pikërisht ky”, u përgjigj Zyba.
Dëshmitari Zyba tha se në Burgun e Lipjanit gardianët e formonin një kordon, nëpër të cilin i detyronin të kalonin të burgosurit, të cilët i rrihnin me mjete të forta.
“E kanë bërë rreshtin sikur që të tregova dhe kemi pasë të hyjmë përmes. Ka pasur raste që kordoni ka qenë i gjatë 20-30 metra, ka pasur raste që ka qenë edhe më i shkurtër, këta vetëm kanë sjellë”, ka thënë Zyba.
Ish-gardiani Dragisha Milenkoviq është arrestuar më 21 qershor të vitit të shkuar. Prokuroria Speciale e mban atë përgjegjës për veprat “krim lufte kundër popullatës civile” dhe për “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.