Në seancën gjyqësore për sulmin e dhjetorit të 2022-s në zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicë të Veriut, dëshmitari Idriz Idrizi shprehu dyshimin se është i akuzuari Aleksandër Vlajiq ai që ia ka publikuar fotografitë nga vendi i ngjarjes në rrjete sociale. Lidhur me rastin, të premten ka dëshmuar edhe dëshmitari i propozuar nga mbrojtja, Jovica Rakiq.
Prania e zyrtarit policor, Idriz Idrizi, pranë zyrave të sulmuara të Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicë të Veriut dy vjet më parë, ishte dokumentuar e shpërndarë nga disa serbë nëpër rrjete sociale.
Lidhur me këto fotografi, dëshmitari Idrizi ka folur të premten në seancën gjyqësore për sulmin e fillimdhjetorit të 2022-s.
Në dëshminë e dhënë, Idrizi tha se shpërndarjen e fotografive e ka bërë i akuzuari, Aleksandër Vlajiq.
“Dyshimet e mia kanë qenë që Aleksandër Vlajiq ka bërë postimin e këtyre fotografive në këtë grup. Fotografitë janë shpërndarë në rrjetin social Instagram në grupin e njohur me emrin Brigada e Veriut (Severna Brigada). Dyshimet e mija kanë qenë, personi nga kjo zyre ka fotografuar edhe para se me ardhë Aleksandër Vlajiq para zyrave të KKZ-së”, u shpreh Idrizi.
Sipas tij, i akuzuari ka shkuar pranë zyrave të KKZ-së për ta identifikuar Idrizin.
“Dyshoj që ky person nuk ka arritur të më identifikojë mua me emër dhe mbiemër, dyshoj që Aleksandër Vllajiq ka ardhë para zyrave të KKZ-së, të më identifikoj mua drejtpërdrejt në mënyrë që më vonë në fotografi të shpallet edhe emri im, gjë që është bërë në ora 15:50”, tha Idrizi.
Për sulmin, dëshmoi të premten edhe Jovica Rakiq, si dëshmitar i propozuar nga mbrojtja e të akuzuarit, Millun Milenkoviq.
Rakiq, i cili punon si teknik në shtëpinë e Shëndetit në Mitrovicë të Veriut, tha se në natën kur ndodhi sulmi, ekipi shkoi në vend të ngjarjes porse nuk pa të lënduar.
“Kam dëgjuar thirrje të shkojmë se asgjë nuk ka ndodhur, të shkojmë. Duke fluturuar, 10 sekonda më së shumti kemi qëndruar aty”, tha ai.
Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale thuhet se në natën e 6 dhjetor të 2022-s, kur u realizua sulmi terrorist ndaj KKZ-së në Mitrovicë të Veriut, një autoambulancë u përdor për bartje të granatave të dorës, e të cilat i mori i akuzuari Milun Milenkoviq, i njohur si Llune.
Pos tij, Vlajiq, Pantiq e Vakiq përballen me akuzat se kanë hedhur granata dore dhe shok-bomba me qëllim të detyrimit të organeve publike të Kosovës për t’u tërhequr nga organizimi i zgjedhjeve të 23 prillit në veri.