Në gjykimin ku Çedomir Aksiqi është i akuzuar për krime lufte, dëshmitarët kanë deklaruar se atë e njihnin si rojë të pyjeve. Prokuroria Speciale e akuzon Çedomir Aksiqin për pjesëmarrje në masakrën e Reçakut
Dëshmitarë në rastin ku Çedomir Aksiqi po gjykohet në mungesë nën akuzat për krime lufte, kanë deklaruar të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, se i akuzuari njihej në Reçak e në fshatrat përreth si Petrova.
Aksiqi ngarkohet ndër të tjera edhe për pjesëmarrje në Masakrën e Reçakut, ku sipas aktakuzës ka marrë pjesë në vrasjen e tetë civilëve shqiptarë.
Dëshmitari Hajdin Hyseni ka thënë se i pandehuri, që në atë kohë ishte rojë pylli, ia ka rrahur vëllain për vdekje.
“E kam gjetur vëllain, e kishin rrahur me stupc, e kishin bërë troshë. Agim Hyseni e ka parë Çedën. E kur e ka parë Çedën, edhe ka thënë ‘Ikni’”, ka thënë Hyseni.
E dëshmitari Bashkim Shashivari ka deklaruar se shtëpia e të pandehurit gjatë luftës ishte shndërruar në depo të armatimit.
“Çdo gjë që i takonte armatimit qëndronte në oborrin e tij, çdo gjë e oborrit të Çedës është sulmuar, sepse Çeda e ka njohur terrenin se ka qenë ‘shumar’ dhe i dinte me milimetra të gjitha”, ka thënë ai.
Prokuroria Speciale e akuzon Aksiqin se në Reçak, Mollopolc dhe Petrovë së bashku me pjesëtarë të tjerë të forcave serbe, kanë urdhëruar edhe dëbimin e banorëve, e më pas ua kanë djegur shtëpitë.