Arbëri

Deri tash në Prishtinë janë regjistruar 165 mijë banorë

Si proces ka filluar në muajin e kaluar, pas 11 vjetëve. E regjistrimi i popullsisë është në ditët e fundit.
Në disa prej komunave tashmë vetëm se ka përfunduar, kurse në Komunën e Prishtinës po vazhdon edhe më tutje.

Nga Agjencia e Statistikave të Kosovës deklarojnë se kjo vonesë ka ndodhur për shkak të problemeve që kanë pasur në rekrutimin e stafit të regjistruesve.

E, po ashtu, edhe për faktin që kryeqyteti ka numër më të madh të banorëve, dhe ky proces është më i gjatë.

Momentalisht në Komunën e Prishtinës janë regjistruar rreth 165 mijë qytetarë dhe 39 mijë ekonomi familjare.

Kurse deri në fund të procesit pritet që kjo shifër të shkojë deri në 300 mijë.

“Sa i përket Prishtinës, që është edhe kryeqytet i vendit dhe ka më shumë banorë, na kanë dalë edhe disa problematika. Sfidat kryesisht kanë qenë në rekrutimin e stafit, sepse nuk kemi pasur aplikantë të mjaftueshëm, pastaj edhe ata që kanë filluar iu është kërkuar që ta kenë një certifikatë të lëshuar nga policia që nuk kanë një të kaluar kriminale, të cilën e kanë sjellë edhe me vonesë. Mirëpo kjo nuk do të na e shkaktojë ndonjë problem të madh, sepse ne tashmë jemi në fazën më dinamike të procesit dhe në të gjitha zonat e kryeqytetit jemi në terren dhe jemi duke punuar normalisht”, ka thënë Hazbije Qeriqi, zyrtare në ASK.

Mirëpo, përkundër kësaj, Qeriqi ka thënë se nuk do të shtyhet procesi dhe se ai do të përfundojë më 17 maj.

“ASK e ka shfrytëzuar kuotën maksimale të kohës sa i përketë regjistrimit të popullsisë në vitin 2011, regjistrimi ka zgjatur 2 javë. Kurse këtë herë e kemi zgjatur e kemi bërë 6 javë dhe ne i kemi parashikuar para se të vendoset hapësirat, i kemi parashikuar sfidat. Ne nuk mendojmë që do të ketë nevojë që të zgjasë regjistrimi i popullsisë sepse kjo do të përfundojë më 17 maj”, ka thënë ajo.

Nënkryetari Alban Zogaj ka thënë se shumë banorë që marrin shërbime në Komunën e Prishtinës po regjistrohen në vendlindjet e tyre, derisa apelon që të bëhen banorë të Prishtinës.

“Ka shumë raste kur shumë banorë të Prishtinës që janë më qëndrim dhe banim në Prishtinë, po regjistrohen në vendet e tyre të lindjes dhe kjo është gabim për shumë arsye. Ne i ftojmë këta banorë të Prishtinës të regjistrohen në Prishtinë sepse i marrin shërbimet këtu, i dërgojnë fëmijët në shkollë këtu, i dërgojnë fëmijët në çerdhe dhe e përdorin shërbimet mjekësore këtu. Andaj edhe duhet të regjistrohen në Prishtinë sepse na ndihmojnë edhe në planifikim të buxhetit dhe përmirësim të shërbimeve”, është shprehur ai.

Ai ka thënë se janë duke e ndihmuar ASK-në dhe duke iu bërë thirrje qytetarëve që të regjistrohen.

Në vitin 2011, në regjistrimin e popullsisë Komuna e Prishtinës kishte rreth 200 mijë banorë. 

Në fillim të këtij procesi zyrtarët e kryeqytetit thanë se presin që shifrat të kalojnë 400 mijë banorë rezidentë.

Me numër më të madh të banorëve, Prishtina siguron edhe më shumë buxhet për arsim e shëndetësi.