Deri në dy orë po zgjasin pritjet për të dalë nga Kosova në pikën kufitare me Serbinë, në Merdar.
Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, e përditësuar në orën 16:45, ka njoftuar se kolonat për të dalë nga kjo pikë kufitare janë zgjatur deri në 900 metra.
Sipas këtyre të dhënave, edhe në pikën kufitare te Dheu i Bardhë radhët për të dalë nga Kosova janë të gjata.
Udhëtarët po presin deri në 1 orë e 20 minuta për të dalë nga territori i Kosovës, derisa kolonat e pritjes shkojnë deri në 600 metra.
Në pikën kufitare në Jarinjë, ka pritje deri në 40 minuta për të dalë nga Kosova. Ndërkohë që në pikat e tjera nuk ka pritje as për në hyrje e as në dalje.