Arbëri

Dërgesa nga Posta e Serbisë ndalohet në Jarinjë. Degë të saj funksionojnë pa u penguar në Graçanicë

Aksionet e autoriteteve të Kosovës kundrejt institucioneve ilegale të Serbisë janë fokusuar në katër komunat në veri, ndonëse të tilla ekzistojnë edhe në komunat e tjera me shumicë serbe.

Përveç 9 postave ilegale që ishin duke vepruar në veri deri të hënën, disa të tilla vazhdojnë të janë funksionale në qytetin e Graçanicës. Por, veç postave, në këtë qytet ka edhe një sërë institucionesh paralele që operojnë pa u penguar, si qendra të mjekësisë familjare, institucione shkollore e kulturore.
10 kilometra larg kryeqytetit, shërbimet postare në këtë vendbanim ofrohen pa ndonjë problem, ndonëse degët e saj u mbyllën një ditë më parë në veri me arsyetimin se funksiononin ilegalisht.

Një punonjës i Postës që nuk lejoi të xhirohej nga afër, tha se këtu vazhdojnë të jepen rrogat, shtesat për fëmijë dhe pensionet për qytetarët serbë.

Ky filial i postës së Serbisë në Graçanicë, ndodhet pak metra larg stacionit të Policisë.

Përveç në qytet, një zyre, kjo postë ka edhe në fshatin Llapllasellë. Të martën ajo ishte e mbyllur, derisa pranë derës është vendosur një mbishkrim me njoftimin e mungesës së rrymës.

Deri në Graçanicë, të martën nuk mbërriti dërgesa e Postës së Serbisë. Sipas njoftimit nga kjo postë, hyrja në Kosovë nuk i është lejuar një furgoni të saj. 

“Mbyllja e degëve të Postës së Serbisë ka pasoja të rënda për komunitetin dhe punonjësit serbë, pasi ajo është institucion vital, shtyllë dhe faktor i rëndësishëm në jetën e përditshme të serbëve dhe popullatës tjetër joshqiptare në veri të Kosovës. Shumë qytetarë, veçanërisht të moshuarit, mbështeten në shërbimet tona për transaksionet e përditshme, gjatë funksionimit të biznesit, ekonomik dhe të përditshëm. Akti i sotëm i ndalimit me forcë të dërgimit të letrave, ndër të tjera, vështirëson kontaktin mes familjeve, gjë që rrit edhe më shumë ndjenjën e pasigurisë në kontekstin e tensioneve etnike”.

Në lidhje me numrin e degëve postare që funksionojnë ilegalisht në Kosovë, të dhëna nuk kanë dhënë në autoritetin rregullativ, institucion që njoftoi Policinë, të hënën për funksionimin e tyre pa licencë në veri të vendit.

“ARKEP Ju njoftojmë se përveç postes serbe nuk ka të identifikuar ndonjë subjekt apo operator tjetër postar që ofron shërbime postare pa autorizim nga ARKEP në territorin e Republikës së Kosovës, përfshirë pjesën veriore dhe vendbanimet me shumicë të banuara nga komunitetit serb. Për sa i përket numrit të institucioneve të mbyllur apo që funksionojnë ilegalisht, ne ende nuk kemi ndonjë raport zyrtar përveç atyre të publikuara në mjetet e informimit, dhe rrjedhimisht nuk munde të flasim më shumë. Pra ne jemi duke përcjellë situatën dhe konform përgjegjësive që kemi do të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e ligjit dhe rregulloreve në fuqi në tërë territorin e vendit”, thuhet në përgjigjen e ARKEP-it. 

Mbyllja e institucioneve të Serbisë që ilegalisht veprojnë në Kosovës, është shtuar muajve të fundit. Paraprakisht, veprimtaria nuk i është lejuar disa pompave të derivateve në veri, njësisë së bankës postare dhe të kursimeve, si dhe disa komunave ilegale.