Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fjolla Ujkani, ka thënë se Ministria e Drejtësisë që udhëhiqet nga Albulena Haxhiu nuk ka bërë punë të mirë me Projektkodin Civil.
Projetkodi Civil ka dështuar të votohet në Kuvendin e Kosovës tash e dy vjet e gjysmë. Ky projektkod që parasheh martesat e gjinisë së njëjtë nuk ka gjetur përkrahje e shumicës së deputetëve – mes tyre edhe vetë Ujkani.
Në një intervistë në “Interaktiv” të premten, Ujkani ka thënë se Ministria e Drejtësisë është dashur së pari të bëjë konsensus brenda Grupit Parlamentar të VV-së.
“Ky projektkod ka ardhur nga Ministria e Drejtësisë dhe Haxhiu ka thënë se ka shpenzuar shumë energji për të kaluar këtë projektod dhe nuk ka kaluar. Kjo çështje duhet parë edhe në aspektin e përbërjes së popullsisë, se çfarë mendojnë, në çfarë vlera besojnë. Nëse e marrim një krahasim me vendet e rajonit, kush e ka implementuar para nesh? Çfarë alternative është dhënë që të dilet nga kjo problematikë? Çdo sukses apo dështim i faturohet ministrisë së linjës. Ministria e Drejtësisë nuk e ka bërë punën e mirë sepse është dashur të analizojë në detaje dhe të bëjë konsensus brenda Grupit Parlamentar”, ka thënë ajo.
Ujkani konfirmoi se do të jetë kandidate për deputete me VV-në edhe në zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit 2025 dhe u shpreh se nuk do të ndërrojë qëndrim sa i përket votimit të Projektkodit Civil.
Deputetja e VV-së tutje komentoi edhe zhvillimet në dialog, duke thënë se me këtë sjellje të Serbisë është pesimiste që do t’i avancohet statusi i Kosovës për anëtarësim në BE.
“Ndërlidhet procesi i dialogut me proceset integruese dhe përderisa e shohim këtë sjellje të Serbisë dhe nganjëherë trajtim jo të drejtë nga BE-ja, jam pesimiste tani për tani që do të ketë avancim për statusin e Kosovës. Por kjo nuk do të thotë që duhet të ndalemi dhe të mos provojmë me të gjitha resurset dhe kapacitetet që ta tejkalojmë këtë çështje”, ka deklaruar ajo.
Ujkani u shpreh optimiste se samiti i Procesit të Berlinit, që do të mbahet më 14 tetor, do të jetë i suksesshëm edhe për Kosovën.