Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka, ka vendosur të tërhiqet nga kjo pozitë dhe të vazhdojë të jetë vetëm ligjërues në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës.
Ky vendim i Ukës është marrë pasi ligji nuk ia lejon të punojë në të dyja drejtimet njëkohësisht.
Ligjëruesi i Psikologjisë ka thënë për KOHËN se brenda një muaji Universiteti i Prishtinës do të shpallë konkurs për avancim si ligjërues asistent, në çka edhe do të angazhohet duke e liruar karrigen e Kuvendit të Kosovës.
“Brenda një muaji Universiteti i Prishtinës shpall konkurs për avancim si ligjërues në UP dhe me ligjin aktual nuk mund t’i mbajë të dyja pozitat, edhe ligjërues në institucion shtetëror edhe deputet. Para dy vitesh ka qenë një tjetër konkurs dhe kam vendosur të angazhohem më shumë si deputet, këtë vit nuk mund ta lë anash avancimin e rregullt në universitet dhe nëse ligji vazhdon të jetë i njëjtë deri në kohën kur hapet konkursi, meqë e kam të pamundur t’i mbaj të dyja pozitat, do ta zgjedh UP-në”, ka thënë ai.
Uka për herë të parë ka marrë mandatin e deputetit në vitin 2019, ndërsa në zgjedhjet e fundit, të mbajtura vitin e kaluar fitoi edhe një mandat të dytë.