Deputeti gjerman, Knut Abraham ka thënë se Komiteti i Ministrave të Këshillit Evropian po që se i respekton standardet e veta, Kosova do të duhej të pranohej në këtë organizatë në maj.
Duke shënuar 75-vjetorin e KiE-së, Abraham ka thënë se Komiteti i Ministrave është para dy zgjedhjeve, e sipas tij, po që se respektohen standardet dhe vlerat Kosovë do të duhej të anëtarësohej.
“Komiteti i Ministrave i ka dy zgjedhje: 1) Të veprojë në përputhje me vlerat dhe standardet tona duke e pranuar Kosovën këtë maj. 2) Ose, ta injorojë vlerësimin e detajuar të juristëve të shquar, tre raportuesve, tre komisioneve dhe Asamblesë… duke mos marrë asnjë vendim”, ka shkruar ai të dielën në Twitter. Sipas tij, po që se ministrat e Jashtëm zgjedhin opsionin e dytë “do të dërgonin mesazh të dëmshëm te deputetët dhe qytetarët në rajon: se shtetet mund t’i injorojnë standardet si të duan”.
Ai ka thënë se po që se respektohen standardet dhe vlerat “pranimi i Kosovës në maj do të ishte e vetmja zgjidhje përpara”.
Votimi për anëtarësimin e Kosovës në KiE pritet të mbahet në mes të majit në mbledhjen e Komitetit të Ministrave. Kosova mori votat e mjaftueshme në Asamblenë Parlamentare muajin e shkuar.