Këshilli Evropës

Deputeti gjerman Abraham: Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësim në KiE

Kurt Abraham

Deputeti gjerman Kurt Abraham ka thënë se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për anëtarësimin në Këshill të Evropës dhe tha se nuk e di pse s’po kuptohet se kjo është mundësi historike. 

Në Bundestagun e Gjermanisë të enjten është mbajtur debat për 75-vjetorin e Këshillit të Evropës. 

Abraham nga radhët e fraksionit CDU/CSU ka thënë se ka pasur një zhvillim të mrekullueshëm, duke aluduar në letrën që Qeveria e Kosovës ia ka dërguar Këshillit duke thënë se do të dërgojë një statut për Asociacionin në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të majit. Ai ka thënë se Komiteti i Ministrave duhet të trajtojë çështjen e Kosovës në një seancë të veçantë në qershor. 

Abraham ka shkruar edhe në platformën “X” për fjalimin e tij në Bundestag. 

“E inkurajova Qeverinë gjermane të marrë vendimin final për pranimin e Kosovës në Këshill të Evropës, pasi gjitha kushtet janë plotësuar. Qeveria e Kosovës ka premtuar në një letër dërguar Këshillit të Evropës se do të dorëzojë në Gjykatë Kushtetuese një statut për AKS-në deri në fund të majit. Është një zhvillim i ri i shkëlqyeshëm. Do të ishte ide shumë e mirë që Komiteti i Ministrave ta adresojë këtë çështje në një takim të veçantë në qershor. Do të ishte moment historik dhe Qeveria e Kosovës ka marrë një hap shumë të rëndësishëm këtu”, ka shkruar Abraham.  

Baerbock: Kosova i përket Këshillit të Evropës

Duke folur për vlerat dhe parimet e Këshillit të Evropës dhe institucioneve të tij, ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock tha se organizata tërheq edhe demokracinë më të re në Evropë – Kosovën.

“Kjo është fuqia që qëndron në instrumentet e Këshillit të Evropës – tani Këshilli ynë i Evropës. Dhe e cila, meqë ra fjala – nuk duhet ta harrojmë këtë kur flasim për vlerat dhe të drejtat në këto kohë – është një forcë që rrezaton në vende të tjera dhe që i bën institucione si Këshilli i Evropës kaq tërheqëse. Ashtu si Kosova, demokracia më e re në Evropë, e cila i përket Këshillit tonë të Evropës”, tha ajo.

Ajo bëri thirrje që të ofrohet mbështetja e nevojshme për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe kërkoi nga drejtuesit e institucioneve në Kosovë që të angazhohen që Kosova të anëtarësohet sa më shpejt.

“Kjo është arsyeja pse ne i bëjmë thirrje – dhe unë jam vërtet mirënjohës për punën e palodhur të parlamentarëve demokratë dhe grupeve politike që po mblidhen këtu – të gjithë të përfshirë dhe përgjegjës në Kosovë që të bëjnë gjithçka që është e mundur për të siguruar që të kemi shumicën e nevojshme për të arritur anëtarësim së shpejti”, tha ajo në Bundestag, e cila u prit me duartrokitje.