Sot Kuvendi i Kosovës do të mbajë vazhdimin e seancës plenare dhe në rend dite janë 24 pika të papërfunduara në seancat e kaluara.
Në rend dite ndër të tjera është edhe votimi në lexim të dytë i Projektligjit për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor si dhe i atij për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për zyrtarët publikë.
Vazhdimi i seancës pritet të nisë në orën 10:00.
Tre deputetë të pushtetit s’marrin pjesë në votim, në mungesë të kuorumit shtyhet seanca
Kuvendi i Kosovës në seancën e së enjtes ka dështuar të miratojë Projektligjin për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor.
Kjo pasi që vetëm 38 deputetët kanë marrë pjesë në votimin e amandamentit të deputetit të Vetëvendosjes Visar Korenica për këtë Projektligj.
Amendamenti i propozuar nga deputeti i Vetëvendosjes, përcakton se e drejta riprodhuese duhet t’i takojë vetëm çiftit e jo edhe individit.
Votimi i këtij projektligji ka dështuar në disa seanca.
Gjithashtu deputetët kanë dështuar që të miratojnë dy marrëveshje ndërkombëtare. Në mungesë të kuorumit nuk janë votuar Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit, për programin e parë për “Financimin e politikave zhvillimore për efektivitetin fiskal, konkurrueshmërinë dhe rritjen e gjelbër”, në mes të Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim dhe ai për ratifikimin e amendamentimit të Marrëveshjes për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe organizatat e grupit të Bankës Botërore.
Pas dështimit të votimit të këtyre pikave seanca është mbyllur nga kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, i cili ka thënë se nuk po sheh vullnet prej 3 deputetëve të shumicës për të votuar. “Kështu që s’ka kuorum për të vazhduar”, ka thënë Konjufca.
Opozita kundërshton emërimin e anëtarëve të rinj të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore
Partitë opozitare në Kuvend e kanë kundërshtuar emërimin e shtatë anëtarëve të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore. Anëtarët e propozuar për këtë këshill janë Artan Krasniqi, Fahri Sheqiri, Besarta Reçica, Enis Salla, Zanita Halimi, Arianit Buçinca dhe Sllaxhana Boshkoviq.
Deputetja e LDK-së, Vlora Dumosh, ka thënë se janë zgjedhur militantë partiakë dhe se procesi duhet të kthehet në pikën zero. Ka shtuar se Komisioni për Arsim pavarësisht se ka pranuar ankesa nga kandidatët, ato nuk janë shqyrtuar.
“Shumica e kandidatëve janë sociologë, etnologë por jo edhe historianë, që ka qenë një kriteret e konkursit. Po ashtu janë përzgjedhur militantët partiakë siç është rasti Fahri Sheqiri nga qendra e LVV në Bardhosh. Prandaj ne mendojmë që procesi duhet të kthehet në pikën zero, po ashtu si komision kemi pranuar tri ankesa nga kandidatët dhe asnjë ankesë nuk është shqyrtuar kështu që kjo është një shkelje e cila është bërë përgjatë këtij konkursi”, ka thënë ajo.
Deputeti tjetër i kësaj partie, Armend Zemaj, ka thënë se është i papranueshëm miratimi i këtyre emrave.
“Është e pafalshme që ky institucion që duhet të jetë i pavarur jo vetëm që dëmtohet në aspektin profesional duke larguar njerëz me grada shkencore, tentohet të rehabilitohen militantë politikë. Ky propozim duhet të tërhiqet qoftë në komision qoftë në përgjithësi. Të tentohet të kalohet në këtë formë me njerëz që nuk i përkasin trashëgimisë është e papranueshme”.
E, deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, është shprehur se grupi i tij parlamentar nuk do të marrë pjesë në votim.
“Nuk mundet as profesori Gola e askush prej deputetëve ta ndalë procesin e ankimimit kur i është bërë e padrejtë kandidatëve. Ne nuk do të marrim pjesë në këtë proces votimi”.
Ndërkaq, deputeti i Vetëvendosjes, Ardian Gola, është shprehur se është mirë t’u jepet shansi disa të rinjve.
“Kjo përbërje është vullnet politik i Komisionit. Më 2021 kemi zgjedhur përbërjen aktuale këtë që është në largim. Kjo përbërje e reflekton profesionalizmin e komisionit por asnjë nuk mund të garantojmë që zgjedhja ka qenë profesionale. Është e vërtetë që disa nuk janë zgjedh mund të jenë mirë por ky komision ka konsideruar që është mire tu jepet shansi disa të rinjve”, ka deklaruar Gola.