Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë lëshuar sallën e Kuvendit ku po mbahet seanca për shqyrtimin e 20 pikave të rendit të ditës.
Teksa po shqyrtohej pika e parë, propozimi i gjashtë deputetëve nga Grupi Parlamentar i PDK-së për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, deputetët e pushtetit që ishin në sallë, lëshuan seancën.
Gjatë kësaj pike, deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, ka thënë se RTK-ja nuk e ka kredibilitetin e transmetuesit publik “derisa nuk merren masa ndaj menaxhmentit të saj. Kërkojmë të merren masa për shkarkimin e secilit anëtarë të Bordit të RTK-së”.
Ndërsa deputeti i Vetëvendosjes, Valon Ramadani, kryetar i Komisionit për Media, tha se RTK-ja nuk është kapur nga ta.
“Dyshimet mbi financimin e mediave nuk janë fake news, janë shqetësim real. Brenga e PDK-së është se janë përmendur mediumet private që ia mbajnë vijën dhe ja shtyjnë politikat. RTK-në nuk e kemi kapur ne, por e kemi çkapur nga ju”, ka thënë ai.
