Deputetë të opozitës nga Komisioni Parlamentar hetimor për menaxhimin e marrëdhënies së punës në Ministrinë e Jashtme kanë dorëzuar të premten dosjen me shkeljet e pretenduara në Prokurorinë Speciale. Dosja është dorëzuar, ani se ekspertët e kontraktuar nga Komisioni nuk e kanë finalizuar raportin dhe në shumicën prej çështjeve që kanë pasur në shqyrtim konstatohet se për shkak të kohës së shkurtër në dispozicion dhe vonesave në pranimin e materialit, analiza e gjetjeve nuk ka përfunduar
Anëtarët e opozitës nga Komisioni Parlamentar Hetimor për menaxhimin e marrëdhënies së punës të zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) kanë dorëzuar të premten dosjen për hetim në Prokurorinë Speciale të Kosovës.
Deputetja e Partisë Demokratike (PDK), Ariana Musliu-Shoshi, ka thënë se Qeveria ka shkelur në vazhdimësi ligjin dhe rregulloret për zyrtarët e MPJD-së.
“Sekretari permanent i kësaj ministrie ka marrë vendime të paligjshme të njëpasnjëshme. Me dinjitetin që i është humbur stafit tonë diplomatik dhe për shumë vendime që nuk kanë qenë të marra në bazë të meritokracisë, kemi parasysh duhet të ketë një investigim që kur ka ardhur kjo strukturë në pushtet”, ka deklaruar Musliu-Shoshi.
E anëtarja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, ka deklaruar se deri në formimin e këtij komisioni hetimor nuk është zbardhur e vërteta, teksa ka kritikuar partinë në pushtet për pengesa në punën e Komisionit.
“Nuk kemi arritur të ftojmë dëshmitaret, sepse ka qenë tendenca e devijimit të këtij procesi duke dashur që kjo periudhë e hetimit të fillojë në vitet e mëhershme edhe që kërkesa e bërë për hetim parlamentar ka qenë specifike në vitin 2021-2023. Deri në formimin e këtij komisioni hetimor nuk kemi arritur që të zbardhim të vërtetën andaj për shkak të pengesave që i kemi pasur nga mazhoranca ne sot bashkërisht dorëzuam dosje në Prokurorinë Speciale”, ka thënë Kadrijaj.
Dosja është dorëzuar në Prokurori ani se ekspertë të kontraktuar nga Komisioni nuk e kanë finalizuar raportin lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës së anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të MPJD-së. Kjo konstatohet në përfundim të dokumentit, ku thuhet se “për shkak të kohës së shkurtër në dispozicion dhe vonesave në pranimin e materialit nga Komisioni Hetimor, analiza e gjetjeve nuk ka përfunduar, por duhet të vazhdojë deri në përcaktimin e gjetjeve, nxjerrjen e konstatimeve dhe dhënien e rekomandimeve sipas kësaj ekspertize”.
Bazuar në analizën e dokumentacionit zyrtar të disponueshëm dhe rrjedhën e punës së Komisionit Hetimor Parlamentar, ekspertët kanë rekomanduar që raporti të mos dalë për shqyrtim dhe miratim as në Komision, si dhe t’u vazhdohet mandati ekspertëve. Të dhënat për këtë raport janë mbledhur vetëm nga shqyrtimi i dokumentacionit zyrtar të dorëzuar nga MPJD-ja në Komision. Për shkak të kohës së shkurtër në dispozicion dhe vonesave në pranimin e dokumentacionit nga Komisioni Hetimor nuk është arritur të bëhet shqyrtimi fillestar i kapitujve lidhur me Organizimin e Brendshëm të MPJD-së dhe ristrukturimi i personelit; konkurset e shpallura nga MPJ-ja për pranim në punë; si dhe emërimet në pozitat udhëheqëse dhe mbajtja e pozitave te ushtruesit te detyrës. Sipas raportit, në bazë të dokumentacionit të pranuar janë gjithsej 9 vendime të sekretarit të Përgjithshëm të MPJD-së për caktimin e zëvendësuesve në pozita udhëheqëse, ku gjashtë prej tyre janë në vitin 2020 ndërsa tri vendime më 2021.
“Në lidhje me kërkesën e Komisionin Hetimor Parlamentar për qasjen në dosjet e emërimeve të zyrtarëve të Ministrisë së Diasporës në pozitat udhëheqëse në MPJD si dhe procedurat e emërimeve të personave në pozita udhëheqëse, nga dokumentacioni i pranuar nuk gjenden dosje të tilla përjashtimisht dosja e z. Behar Isma siç është përshkruar më lart dhe po ashtu nuk ka dosje të procedurave të emërimeve në pozitat udhëheqëse”, shkruan në raport.
Sa u përket transfereve brenda Ministrisë, raporti i ekspertëve ka cituar vendimet e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civilë, i cili pati konstatuar se zyrtari i Prokurimit është transferuar në pozitën auditor i Brendshëm, pa i pasur kualifikimet profesionale për ushtrimin e kësaj pozite, të përcaktuara me Ligjin për Kontrollin e Brendshëm të Financave Publike. Ani se Ministria ka graduar disa prej diplomatëve, sipas raportit të ekspertëve rezulton se asnjëri prej tyre nuk ka marrë vendimet për gradim dhe caktim/emërim të shërbimit. Me përplasje e akuza mes deputetëve të shumicës dhe opozitës ishin shoqëruar mbledhjet e Komisionit Hetimor Parlamentar për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në të cilat mungonte vendimmarrja. Deputete të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) insistonin që në listën e atyre që duhet të intervistohen të përfshihen edhe zyrtarët para periudhës për të cilën është krijuar Komisioni, me arsyen se disa prej punësimeve kanë ndodhur në atë periudhë e të cilat i ka zhvleftësuar Qeveria aktuale.
KOHA ka raportuar në vazhdimësi për shkeljet në MPJD. Pakënaqësitë e punonjësve të këtij dikasteri me vendimmarrjen e qeverisjes aktuale janë shoqëruar edhe me ankesa, të cilat vitet e fundit janë rritur në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës.