Departamenti Special i Themelores në Prishtinë, që i gjykon krimet e luftës, në bazë të Planit të Veprimit të miratuar prej Këshillit Gjyqësor, parashihet t’i ketë 12 gjyqtarë.
Numër të njëjtë ka pasur edhe më herët, por nga 1 shtatori do të mbetet me 9 gjyqtarë.
Pavarësisht se është rritur nga tre në pesë numri i prokurorëve për krime lufte, numri i gjyqtarëve që mund t’i trajtojë këto raste, nga 1 shtatori 2024 do të jetë nëntë, apo një trup gjykues me 3 gjyqtarë më pak se që parashihet.
Rritja e numrit të prokurorëve specialë për krime lufte, sipas avokatit dhe ekspertit ligjor në Fondin për të Drejtën Humanitare Amer Alija, imponon edhe rritje të numrit të gjyqtarëve.
“Me rritjen e numrit të prokurorëve logjikisht që pritet që të ketë më shumë rezultate në ndjekjen e krimeve të luftës dhe tanimë me zvogëlimin e numrit të të gjyqtarëve të cilët qoftë që avancohen në shkallën e dytë apo caktohen në ndonjë departament tjetër sigurisht që në njëfarë forme ndikon edhe te vetë departamenti. Pra është mirë që gjyqtarët të cilët pranohen në këto departamente të qëndrojnë për një kohë më të gjatë për arsye se krimet e luftës janë krimet më të ndjeshme të së drejtës ndërkombëtare dhe sigurisht që nevojitet një kohë e gjatë për t’u familjarizuar dhe për një trajtim të denjë të këtyre rasteve”, është shprehur Alija.
Tek kujton se ky departament i ka pasur 12 gjyqtarë, Alija tha se shtimi i numrit të lëndëve komplekse, siç janë ato të gjykimeve në mungesë e ngarkon punën e departamentit, për çka kërkohet edhe shtimi i numrit të gjyqtarëve.
E kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Albert Zogaj, u shpreh se në vjeshtë do të hapet konkurs i ri për Departamentin Special.
“Gjatë këtij viti ne i kemi rekrutuar 3 gjyqtarë në Departamentin Special në Themelore, ndërsa e kemi avancuar vetëm një gjyqtar në Departamentin Special në Gjykatë të Apelit. Përndryshe, ne kemi filluar punën për rregulloren e re për Departamentin Special dhe pas miratimit, besoj në tetor, do të kemi proces të ri për Departamentin Special ne Themelore”, ka deklaruar Zogaj.
Megjithëse Zogaj ka përmendur se këtë vit janë rekrutuar tre gjyqtarë, sërish departamenti do të jetë minus një trup gjykues prej 1 shtatorit 2024. Kjo pasi dy gjyqtarët; Mentor Bajraktari dhe Valbona Musliu-Selimaj do të kalojnë në Gjykatën e Apelit gjatë dy muajve të ardhshëm, Suzana Çerkini është transferuar vitin e kaluar si mbikëqyrëse e degës së gjykatës në Fushë-Kosovë, kurse Musa Konxheli është pensionuar.
Departamenti Special është adresa ku shkojnë aktakuzat e Prokurorisë Speciale, përfshirë ato për krime lufte e krime kundër njerëzimit, terrorizëm, korrupsion të nivelit të lartë e shpëlarje parash.