Për më se 10 vjet, Departamenti për teknologji informative në kuadër të Agjencisë së Forenzikës nuk ka shtuar numrin e punonjësve, ani se, në krahasim me vitin e shkuar, sivjet është rritur për 74 numri i pajisjeve teknologjike që presin për ekzaminim. E vonesa në ekzaminimin e telefonit të viktimës ishte përmendur si një prej arsyeve të mosarrestimit për mëse dy muaj të të dyshuarve në rastin e dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë
Të gjithë këta telefona të konfiskuar ngase mund të përmbajnë dëshmi mbi vepra të ndryshme penale, janë në pritje për ekzaminim përbrenda hapësirave të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë.
Departamenti për teknologji informative forenzike që vepron në kuadër të kësaj agjencie, e që merret me ekzaminimin e tyre, vepron me shtatë ekspertë të teknologjisë. E vetëm gjatë këtij viti, numri i pajisjeve që presin për ekzaminim është rritur për më se 70, krahasuar me vitin e shkuar.
“I kemi 74 raste më shumë se vitin e kaluar, ndërsa personeli është i njëjtë, teknologjia është e njëjtë, d.m.th nuk kemi kurrfarë ndryshimi, në kuptimin e avancimit njerëzor ose teknologjik. Kjo rritje e numrit të rasteve d.m.th, duhet patjetër me rrit edhe numrin e personelit edhe pse ka sfida. Pastaj edhe sikur të rekrutojmë sot, neve na duhet minimum 1 vit me e përgatit me trajnu për teknologji digjitale”, ka thënë zëvendësdrejtori i Departamentit për Teknologji Informative Forenzike në AKF, Blerim Krasniqi.
Vonesën në ekzaminimin e telefonit të viktimës, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi, ditë më parë e kishte dhënë si arsye për mosarrestimin për rreth dy muaj të të dyshuarve në rastin e dhunimit të vajzës 11-vjeçare në Prishtinë.
“Më datën 24 qershor 2022, prokurori i rastit merr vendim i cili e obligon Agjencinë e Kosovës për Forenzikë në Prishtinë të bëjë ekzaminimin e telefonit të të dëmtuarës, V.M. Ky vendim në fund e ka shkresën që rasti është i natyrës urgjente... Më datën 1 shtator 2022, kemi marrë raportin e Agjencisë së Forenzikës. Pas këtij ekzaminimi kemi arritur të identifikojmë të gjithë personat që kanë komunikuar dhe kanë abuzuar me viktimën... Prokuroria nuk është vonuar, e ka pritur raportin nga Agjencia e Forenzikës”, ka thënë Munishi.
Zëvendësdrejtori i Departamentit për teknologji në AKF ka theksuar se për një ekzaminim të pajisjeve teknologjike, jo e gjithë puna varet nga departamenti, porse edhe nga disa aspekte teknike.
“Ka raste për të cilin nuk ke mujt me ekzaminu fare, sepse telefoni në fjalë, meqë janë 80% e evidencave që hynë dhe dalin në departament, janë smartphone, që nuk është i listuar në programet forenzike. Pastaj është edhe diçka me rëndësi, se nuk ka një program forenzik që i bënë të gjitha kërkimet që i kërkon prokurori, sepse për neve është e rëndësishme që të identifikojmë pajisjen, të shohim pajisjen që e sjellë prokurori te na dhe të shohim mundësitë që i kemi teknike”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka bërë të ditur se ekziston edhe një marrëveshje me Prokurorinë e Prishtinës që rastet e natyrës urgjente të komunikohen drejtpërsëdrejti, pasi që në të kaluarën, në të gjitha rastet e dorëzuara ka qenë i vendosur mbishkrimi për urgjencë.
KOHA ka pyetur në Ministrinë e Punëve të Brendshme nëse ekziston ndonjë plan për rritjen e kapaciteteve përbrenda kësaj Agjencie, porse asnjë nga zyrtarët e saj nuk kanë kthyer përgjigje gjatë ditës.
Në gjithë Agjencinë Forenzike të Kosovës, ku bëhet ekzaminimi i provave të ndryshme që ndërlidhen me dyshime për vepra penale, veprojnë rreth 50 punëtorë.