Treqind euro gjobë, ishte dënimi që iu shqiptua një gjilanasi që e rrahu bashkëshorten.
Gjykata Themelore në Gjilan, me një aktgjykim të tetorit të 2021-tës, por që është publikuar së fundmi, kishte vendosur që kryerësit të veprës penale “Lëndim i lehtë trupor” t’i shqiptohet dënim minimal.
Dënimi iu shqiptua ndonëse ai kishte përdorur dhunë fizike ndaj gruas së tij, e cila është me aftësi të kufizuara.
Në Gjykatë janë arsyetuar se i akuzuari e ka pranuar fajësinë dhe se dënimi është vendosur, duke u bazuar në fakte dhe në bindje të gjyqtares.
“Lidhur me rastin në fjalë, i pandehuri ka qenë i akuzuar për veprën penale ‘lëndim i lehtë trupor’ dhe pas pranimit të fajësisë për veprën e kryer, gjyqtarja ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit, duke vendosur në bazë të fakteve dhe bindjes së saj. Ndaj këtij aktgjykimi palët kanë pasur të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit. Ky Aktgjykim është bërë i plotfuqishëm me datë 22.10.2021”, ka thënë Sabit Shkodra nga Gjykata Themelore në Gjilan.
Ky vendim është quajtur qesharak nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut YIHR), e cila e siguroi aktgjykimin e këtij rasti.
“Mendojmë që një vendim i tillë qesharak, skandaloz dhe jashtëzakonisht i vogël, ndikon negativisht te viktimat e tjera të dhunës në familje, se normalisht nuk do të kenë besim në institucione të tilla dhe nuk do i raportojnë rastet e tilla, ndërsa në anën tjetër një dënim i tillë është qesharak edhe për kryerësit e veprës penale”, është shprehur Blendë Biraj nga YIHR.
Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë të ketë vërejtur shtim të rasteve të dhunës në familje, ku viktima janë kryesisht gratë.
Leotrim Gashi nga IKD-ja thotë se gjyqësori duhet të jetë më i ashpër në dënime, në mënyrë që të ulen rastet e tilla.
“Në rastet kur ka dënime të ulëta nuk mund të arrihet as qëllimi i dënimit. Qëllimi i dënimit në radhë të parë është sanksionimi i kryerësit të veprës penale, posaçërisht kur kryhen vepra të rënda penale, duhet të jetë dënim më i madh e po ashtu qëllim tjetër i dënimit është që qytetarët tjerë, mund të shohin dënime të tilla t’i parandalojë të kryejë dënime të ngjashme”, ka thënë Gashi.
Sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, mungesa e dënimeve meritore çon në raste me fatalitet.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk është përgjigjur për numrin e rasteve të dhunës në familje që janë duke u trajtuar nga gjykatat në Kosovë, dhe për kritikat ndaj dënimeve të shqiptuara.
Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, sipas raportit 24-orësh të Policisë, janë regjistruar 4 raste të dhunës në familje. E, gjatë vitit të kaluar u shënuan gjithsej 2 mijë e 200 raste, rritje kjo krahasuar me vitin paraprak.
Neglizhenca e institucioneve konsiderohet të ketë qenë shkak i vrasjes së 48-vjeçares nga Llausha e Skenderajt, Lirije Qerimaj, e cila u vra nga bashkëshorti, disa ditë pasi e kishte raportuar për dhunë tek autoritetet.