Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, është shprehur i indinjuar me vendimin e Gjykatës Speciale për dënimin e Pjetër Shalës me 18 vjet burgim.
Krasniqi ka thënë se pavarësisht mospajtimit e pakënaqësisë, beson se drejtësia do të triumfojë.
Vendimin ndaj Shalës e ka quajtur vazhdimësi të “verdikteve drakoniane” kundër ish-luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Vendimi i sotëm i Gjykatës Speciale për dënimin e Pjetër Shalës me 18 vite burg, është vazhdimësi e verdikteve drakoniane ndaj çlirimtarëve tanë, të cilët luftuan vetëm për një qëllim - LIRINË e popullit tonë. Lufta e UÇK-së është pjesa më e lavdishme e historisë së Kosovës, të cilën askush dhe asgjë nuk mund ta ndryshojë e ta rishkruajë. Ndonëse të indinjuar me këtë verdikt, drejtësisë i kemi besuar gjithmonë, andaj besojmë edhe sot se drejtësia dhe e vërteta, do të triumfojnë herët a vonë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.