Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) publikon në faqen e tij një pjesë të aktgjykimeve, dhe rastet e analizuara dëshmojnë amnisti të dhunuesve burra. Rrahjet mizore, mbyllja brenda katër mureve e dhuna psikologjike në gjykatat e Kosovës dënohen me nga 6 muaj burgim. Kështu dëshmon një vendim i disa javëve më herët
Për dënime të buta dhe për mungesë konsistence dëshmojnë vendimet e gjykatave për rastet e dhunës në familje. Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) publikon në faqen e tij një pjesë të aktgjykimeve, dhe rastet e analizuara dëshmojnë amnisti të dhunuesve burra.
Rrahjet mizore, mbyllja brenda katër mureve e dhuna psikologjike në gjykatat e Kosovës dënohen me nga 6 muaj burgim. Kështu dëshmon një vendim i disa javëve më herët.
“Më dt. 27.09.2021, rreth orës 17:30 min., pikërisht në shtëpinë e tij, me dashje përdor forcën ndaj bashkëshortes së tij, të dëmtuarës F.Q., në atë mënyrë që derisa e dëmtuara ishte duke qëndruar në shtëpi, vjen i pandehuri nga puna dhe menjëherë i drejtohet me fjalët: ‘pse e ke hapë perden dhe derën e ballkonit? A të kam thanë me majtë mshel? Ku je kanë? A të kam thanë qysh të them unë ka mu bo?’, e pastaj e kap me duar për nofull dhe e godet me shuplakë në fytyrë”, thuhet në një vendim.
Burri abuzues u dënua me 6 muaj burgim për këtë vepër.
E një burrë tjetër, i cili e rrahu mizorisht gruan e më pas edhe nënën e saj, gjykata e dënoi me 6 muaj me kusht, gjë që nënkupton që nëse nuk e përsërit brenda një viti dhunën, nuk do të mbajë fare burgim.
“Sepse më datë 29.10.2023, rreth orës 23.30 min., në Gjilan, në shtëpinë e tyre të përbashkët i pandehuri, R. K. me përdorimin e dhunës, për shkak të një mosmarrëveshjeje, fillimisht me të dëmtuarën, bashkëshorten e tij R. Sh., pastaj edhe me nënën e saj, H. Sh., ka shkaktuar dhunë në familje, ashtu që pas një konflikti verbal me bashkëshorten e tij, e dërgon në një dhomë dhe pasi e largon nga shtëpia, me veturë e dërgon në lagjen ‘Arbëria’, e ndal veturën, e sulmon të njëjtën me grushte dhe shqelma, e cila nga goditjet rrëzohet në tokë, pastaj e dërgon te familja e saj, me qëllim që e njëjta të mbetet atje, por kur arrin te familja e saj e godet në prezencë të babait të saj dhe kur ndërhyn nëna e saj H. Sh., i pandehuri e godet edhe nënën e saj, ku si pasojë e lëndimeve, të dëmtuarat detyrohen të kërkojnë ndihmë mjekësore”, thuhet në një vendim tjetër.
Dhuna psikologjike, sipas këtyre aktgjykimeve, është vepër penale, për të cilën nuk shqiptohet as dënim me burgim, por vetëm gjobë simbolike. Përveç bashkëshortëve, subjekt i dhunës në familje shpesh bëhen edhe anëtarët e tjerë të familjes, siç janë nënat e dhunuesve. Dhuna nuk kufizohet në atë fizike, kalon edhe në dhunë financiare e psikologjike.
“I pandehuri G.A., ka ushtruar dhunë në familje ndaj nënës së tij - tani të dëmtuarës, në kundërshtim me nenin 3, paragrafi 1, nën paragrafi 1.3 të Ligjit për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore, dhe atë ushtron dhunë psikologjike dhe ekonomike, në atë mënyrë që, i pandehuri vazhdimisht i kërkon të dëmtuarës para, pastaj kur e njëjta nuk ia siguron paratë, nervozohet dhe i thotë fjalë të ndryshme duke e fyer, me çka i pandehuri ka cenuar rëndë dinjitetin e të dëmtuarës dhe i ka shkaktuar frikë dhe shqetësim të madh emocional”, thuhet në një tjetër vendim.
Dënimi për këtë dhunues është 150 euro.
Gratë që janë viktima të dhunës së bashkëshortëve në shumë raste kërkojnë urdhër mbrojtës që abuzuesit të mos iu afrohen.
Kur burrat i shkelin këto urdhra, dënimet janë kontradiktore e të çuditshme.
Një burrë kishte shkelur urdhrin e gjykatës që të mos i afrohej ish-partneres së tij. Ndaj tij u ngrit aktakuzë. Deri në kohën e gjykimit, ai ishte arrestuar për të tjera vepra penale dhe ishte në vuajtje të dënimit.
Kur gjykata mori vendim për këtë burrë, nuk e dënoi me burg, por me kusht. Kushti ishte që të mos e përsëriste veprën penale, gjë që ishte e pamundur ta bënte, sepse ai në atë kohë ishte në burg.
“Të akuzuarit E.R. ia cakton dënimin me burg në kohëzgjatje prej katër (4) muajsh dhe në të njëjtën kohë urdhëron që ky dënim me burg të mos ekzekutohet, nëse i akuzuari në afat prej një (1) viti, nuk kryen vepër tjetër penale”, thuhet në një vendim gjykate.
Brenda katër ditësh në Kosovë u vranë dy gra nga partnerët e tyre.
Hidhet poshtë kërkesa e Prokurorisë për paraburgimin e xhudistit Gjakova
Gjykata Themelore në Pejë e ka hedhur poshtë të premten kërkesën e prokurorëve për t’ia caktuar masën e paraburgimit xhudisti Akil Gjakova, i cili dyshohet për dhunë në familje. Nëpërmjet një njoftimi, Gjykata e Pejës ka bërë të ditur se xhudistit ia ka caktuar ndalesën që të mos i afrohet më shumë se 50 metra bashkëshortes së tij gjatë 30 ditëve të ardhshëm.
“Të pandehurit... i është ndaluar t’i afrohet vendit ku e dëmtuara banon, si dhe vetë të dëmtuarës, në distancë prej pesëdhjetë (50) metra”, thuhet në njoftim. Në aktvendimin e gjykatës bëhet e ditur po ashtu se Gjakova e rrezikon paraburgimin, në rast se e shkel masën të cilën ia ka caktuar.
Krahas kësaj, në vendimin e Gjykatës thuhet se edhe pala e dëmtuar duhet të respektojë vendimin.
“Pasi pala e dëmtuar të njoftohet me aktvendim edhe ajo duhet të respektoj vendimin e gjykatës dhe nëse qëllimisht cenon kufizimet që i ka i pandehuri, gjykata mund ta dënojë personin e mbrojtur me gjobë. Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit”, thuhet në vendimin e Gjykatës. Gjakova (28) u pati shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës më 16 prill, para se të vetëdorëzohej më vonë. Shpallja e tij në kërkim është bërë në kohën kur Kosova u trondit nga rastet e dhunës në familje, pas vrasjes së dy grave brenda pesë ditëve.
IPK-ja rekomandon suspendimin e një kapiteni policor për “dhunë në familje”
Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar Policisë suspendimin e një kapiteni policor, respektivisht shefit të sektorit qendror për hetimin e trafikimit me njerëz në Mitrovicë, pasi që dyshohet për “dhunë në familje”. Viktima ka parashtruar kërkesë për udhërmbrojtje. “Hetuesit e IPK-së janë në komunikim të vazhdueshëm lidhur me këtë rast me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë së cilës i janë përcjellë raporte/ deklarata lidhur me veprimet hetimore. IPK në kuadër të veprimeve hetimore, sipas procedurave të parapara, ka njoftuar edhe Mbrojtësin e Viktimave të cilët kanë parashtruar kërkesën për Urdhër Mbrojtës në gjykatën kompetente”, thuhet në njoftim.
Veprimet tjera hetimore, sipas njoftimit, do të ndërmerren nga hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit.