Drejtoresha e Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli, ka thënë se kryeministri Albin Kurti gjatë fushatës parazgjedhore pati premtuar transparencë radikale, mirëpo në qeverisjen e tij është parë krejtësisht e kundërta.
Në “Interaktiv” të KTV-së , Demolli ka thënë se ka pasur regres në shumë fusha.
“Një premtim i bërë gjatë fushatës parazgjedhore nga vetë kryeministri ishte se do të ketë një transparencë radikale e ne e pamë krejt të kundërtën, kemi pasur regres në shumë fusha”, ka thënë ajo.
Demolli ka shtuar se qeveria është e aftë të manipulojë me shifra.
“Kjo qeveri është aq e aftë të manipulojë me shifra saqë nëse nuk je një ekonomist apo ekspert i asaj fushe, fillon të dyshosh në vete sepse e ke një interpretim krejt tjetër për shifra të njëjta. Bëhet propagandë populiste”, është shprehur Demolli derisa ka folur për të dhënat nga monitorimi i zbatimit të aktiviteteve të parapara nga Qeveria në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim, për periudhën e parë gjashtë mujore të këtij viti.
Ajo ka shprehur dyshimet e saj se shumë projekte që janë pjesë e Planit Kombëtar për Zhvillim do të arrijnë të realizohen.
“Ky Plan Kombëtar për Zhvillim është një dokument në Excel, ne i ndajmë aktivitetet që është dashur të realizohen nga fillimi i janarit deri në fund të qershorit, nuk hynë në pyetësor që iu dërgohen të gjitha ministrive. Nga të gjitha ministritë përgjigje nuk kemi marrë nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor, Ministria e Financave dhe ajo e Kulturës. Ka një heshtje, mirëpo përderisa kemi tentuar, e kemi shfrytëzuar të drejtën për qasje në dokumente publike dhe ankesat tona tash e një javë kanë përfunduar në Agjencinë për Informim dhe Privatësi dhe po presim të shohim nëse do të arrijmë të kemi qasje. Dyshoj që shumë projekte që janë pjesë e këtij plani do të arrijnë të realizohen”, ka thënë ajo.