Vetëm 122 nga 367 vendimet që Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) i ka marr në periudhën janar-qershor të këtij viti janë marr brenda afatit ligjor.
Në raportin e fundit të publikuar të enjten nga organizata Demokraci Plus (D+) thuhet se gjatë një monitorimi të OSHP-së është evidentuar se ka pasur vonesa në vendimmarrje gjatë periudhës janar-qershor 2024.
“Sfidat me të cilat u përball OSHP-ja në vitin 2024 janë vonesa në vendimmarrje, kryesisht për shkak të një bordi të pakompletuar dhe mungesës së stafit, mungesa e konsistencës në vendimmarrje, gabime të ekspertëve dhe pamjaftueshmëri në transparencë”, thuhet në njoftimin e kësaj organizate.
Sipas raportit në një rast vendimi është vonuar për 144 ditë.
“Në një rast OSHP, ishte vonuar 144 ditë deri në nxjerrjen e vendimit ani se sipas Ligjit të Prokurimit Publik nga OSHP-ja kërkohet që të nxjerrë vendime brenda 34 ditëve. Tutje, OShP gjatë kësaj periudhe kishte raste që nuk kishte konsistencë në vendimmarrje. Në një rast Paneli Shqyrtues kishte vepruar në kundërshtim me nenin 28 të Rregullores së Punës së këtij organi, duke mos i konfiskuar tarifën e ankesës një operatori ekonomik, në emër të shërbimeve procedurale ani se i njëjti ishte tërhequr nga ankesa, derisa në rastet tjera ishte konfiskuar tarifa”, thuhet në njoftim.
Po ashtu gjatë kësaj periudhe monitoruese, D+ ka vërejtur se për një aktivitet të prokurimit në OSHP edhe pse ishin deponuar dy ankesa të njëjta, vendimi për njërën nga ankesat është publikuar, ndërsa për tjetrin rast ende jo, kur thuhet se kanë kaluar më shumë se 90 ditë nga momenti i ankesës.
“Sfidë për OShP-në edhe gjatë kësaj periudhe mbeti angazhimi i ekspertëve dhe ekspertizat e pakompletuara nga ana e tyre dhe në disa raste pa një mendim përfundimtar. OShP pranoi 10 aktvendime nga Gjykata Komerciale për vendimet e Panelit Shqyrtues, vendosi tetë operatorë ekonomikë në listë diskualifikuese”, thuhet në raport.