Arbëri

Demiri: Me pasivizmin e adresave Serbia po bën spastrim etnik, po përgatis padi në Strasburg

Qytetari nga Medvegja, Safet Demiri, ka thënë se Serbia po bën spastrim etnik me pasivizimin e adresave të shqiptarëve dhe ka paralajmëruar se do t'i drejtohet Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg. 

Demiri ka treguar se atij i ishte pasivizuar adresa në vitin 2019 dhe se ka ndjekur procedurat ligjore, por ka treguar se pas vendimit kundër që mori nga Gjykata Kushtetuese e Serbisë pak ditë më parë, rrugë e vetme i ka mbetur Strasburgu. 

Ai ka thënë se në Medvegjë ka toka, shtëpi dhe po ashtu ka hapur biznes nga viti 2017. Ai thotë se atje ka lindur dhe jeton. 

Tregon se babai dhe nëna e tij jetojnë atje 24 orë dhe se askush nuk ka ardhur në shtëpinë e tij për të verifikuar nëse ka ndonjë person në shtëpi. 

“Kushtetuesja në Serbi ka legalizuar pasvizimin. Krejt shqiptarët kanë frikë se nesër vijnë edhe ia marrin pronën. S’kanë asnjë adresë. Ka shqiptarë tjerë që kanë bërë ankesa, por ndoshta ende nuk ka ardhur radha e tyre për të marrë vendimin. Unë e kam ndërmend të shkojë deri Strasburg. Kam edhe dëshmi, kam tokat, shtëpitë e biznesin. Nuk e di çfarë dëshmie tjetër duhet të kesh. Lënda nuk është e lehtë, duhet mbledhur dokumente, por besoj se për dy muaj do ta dorëzojë në gjykatën e Strasburgut. E kam avokatin Aleksandar Olenik në Beograd e ndoshta duhet të marrë edhe një avokat ndërkombëtar. Është spastrim etnik që po bën shteti serb. Krejt shpresën e kemi në Strasburg. Nëse edhe ata e legalizojnë pasvizimin, atëherë s’kemi tjetër duhet me lëshu vendin tonë”, ka thënë Demiri në “60 Minuta” të KTV-së. 

Ai ka thënë se pasivizimet po ndodhin vetëm me shqiptarët, dhe vetëm në komunat e Preshevës, Medvegjë e Bujanocit.