Arbëri

Demhasaj: Zgjedhjet e 9 shkurtit, më të paparashikuarat në historinë e Kosovës

Kandidati për deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Arton Demhasaj

Kandidati për deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Arton Demhasaj, ka deklaruar se zgjedhjet e përgjithshme që pritet të mbahen më 9 shkurt, janë më të paparashikueshmet ndonjëherë në historinë e Kosovës.

Ai ka akuzuar partinë në pushtet për keqqeverisje në këto katër vjetët e fundit, çka sipas tij, ka bërë që këto zgjedhje të jenë të paparashikuara për shkak të “zhgënjimit të njerëzve”.

“Këto janë zgjedhjet më të paparashikuara që i ka pasur historia e Kosovës, për shkak se ka pasur qeveri, kastë politike që ka ardhur në pushtet me mbi 50 për qind të votave. Dhe katër vjetët e qeverisjes së tyre kanë qenë vitet më të dështuara të qeverisjes së Kosovës, me aferat më të mëdha korruptive që kanë ekzistuar. Imagjinoni, një person që nuk ka fare petk të personit zyrtar, e udhëheq KEK-un dhe tregon se kush duhet të largohet nga puna”, ka thënë ai të mërkurën në “Zgjedhjet në KOHË”.

Demhasaj ka vlerësuar se zhgënjimi i masës do të manifestohet në përqindje dhe se nuk do të përsëritet rezultati i zgjedhjeve të shkurtit të 2021-tës.

“Siç ka qenë para katër vjetësh një përkrahje dhe një frymë për këtë kastë politike, ajo frymë është shndërruar në një zhgënjim totalisht të madh. Sigurisht (v.j. që do të manifestohet në përqindje), kjo është beteja politike, për atë thashë që janë të paparashikueshme, sepse krejt ajo masë e zhgënjimit që është krijuar për këto katër vjet qeverisje, tani është e hapur. Për mendimin tim personal, as shkencërisht e as logjikisht nuk ekziston mundësia që të përsëritet sepse po flasim për një zhgënjim të krejt strukturave të kësaj shoqërie. Logjika e thotë që këta do të përgjysmohen edhe më shumë madje dhe kjo gjysma shpërndahet te pjesa e partive opozitare dhe gara është e hapur”, ka theksuar ai. 


Demhasaj: Rezoluta 1244 nuk e pengon anëtarësimin e Kosovës në NATO

Kandidati për deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Arton Demhasaj, ka deklaruar se Rezoluta 1244 nuk e pengon anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Të mërkurën në “Zgjedhjet në KOHË”, duke iu referuar katër vendeve mosnjohëse – Spanjës, Sllovakisë, Greqisë dhe Rumanisë - Demhasaj ka thënë se vendet anëtare në Aleancë mund ta votojnë dhe përkrahin anëtarësimin e Kosovës në NATO edhe pa pasur njohje zyrtare ndaj Kosovës.

Ndonëse nuk ka asnjë rast të tillë të mëparshëm brenda Aleancës Veriatlantike, Demhasaj ka thënë se asnjë rregullativë ligjore e NATO-s nuk e ndalon atë. 

“Nuk të pengon ideja për të hyrë në NATO, sa i përket Rezolutës 1244, sepse e ke shpallur pavarësinë dhe vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ta ka njohur të drejtën për shpalljen e pavarësisë, ke njohje prej kaq shumë shteteve dhe subjektivitetin juridik ndërkombëtar e ke në rregull, pra nuk është pengesë Rezoluta 1244 për anëtarësim të Kosovës në NATO në asnjë rrethanë dhe në asnjë mënyrë, pra nuk ka pengesë. Pra, ti mund ta votosh dhe ta përkrahësh anëtarësimin e Kosovës në NATO pa pasur edhe një njohje zyrtare ndaj Kosovës. Nuk ka raste të tilla brenda Aleancës, por megjithatë asnjë pjesë e rregullativës ligjore, normative të NATO-s nuk e ndalon këtë”, ka deklaruar ai. 

Demhasaj ka shtuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO bëhet paralelisht me kryerjen e obligimeve që ka marrë Kosova me pranimin e marrëveshjeve të deritanishme.

“Ne nuk po mendojmë që ideja e anëtarësimit në NATO të vijë prej qiellit dhe të themi se jemi bërë pjesë e NATO-s, kjo shkon paralelisht me kryerjen e obligimeve që Kosova i a pranuar e marrëveshjet e deritanishme. Duhet filluar të kryhen obligimet, të dërgohet fillimisht draftstatuti i Asociacionit në Gjykatë Kushtetuese, të pritet se çfarë thotë Kushtetuesja për atë draft nëse është apo jo në përputhje me dispozitat e Kushtetutës dhe më pas të vazhdohet procesi”, ka thënë ai.