Arbëri

Demhasaj: Fatura e rrymës më 2021 më ka ardhur 94 euro, më 2025 210 euro

Arton Demhasaj

Kandidati për deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Arton Demhasaj, ka thënë se çmimi i energjisë elektrike ka shënuar rritje të ndjeshme viteve të fundit, duke e fajësuar Qeverinë për keqmenaxhim.

Sipas Demhasajt, në janar të vitit 2021, fatura e energjisë elektrike për familjen e tij kishte qenë 94 euro, siç ka thënë ai, më së shtrenjti ndonjëherë asokohe, ndërsa në janar të këtij viti ka arritur në 210 euro. Ai ka theksuar se kjo rritje është pasojë e keqmenaxhimit të qeverisë dhe blerjeve të energjisë nga jashtë me çmime të larta.

“Mbi 800 milionë euro janë shpenzuar nga qeveria për blerjen e energjisë elektrike, përfshirë edhe nga kompania serbe GEN, duke ngritur dyshime për afera korruptive. Prokuroria Speciale tashmë ka nisur hetimet dhe disa prej këtyre skandaleve po dalin në publik”, ka deklaruar ai në KTV të premten.

Demhasaj ka prezantuar planin e AAK-së për të adresuar krizën energjetike, duke propozuar ndërtimin e një termocentrali me gaz që do të prodhonte deri në 500 megavat energji elektrike, si dhe rinovimin e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK). Ai gjithashtu ka përmendur mbylljen e termocentralit Kosova A dhe investime në burimet e ripërtërishme të energjisë si hapa të nevojshëm për një sistem më të qëndrueshëm.

“Kosova duhet të investojë në burime të qëndrueshme të energjisë dhe të shmangë varësinë nga importet e shtrenjta. Me 800 milionë euro të shpenzuara për blerjen e energjisë, tashmë do të kishim mundur të ndërtonim një termocentral të ri dhe të prodhonim energji më të pastër”, ka shtuar Demhasaj.

Lexo përditësimet tjera
debati

“Zgjedhjet në KOHË”: Projektet më të mëdha në programet e partive

Arben Mustafa, kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës, dhe Arton Demhasaj, kandidat i Aleancës për Ardhmërinë...