Kandidati për deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Arton Demhasaj, ka deklaruar se partia e tij nuk do të ketë asnjë bashkëpunim me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) pas zgjedhjeve.
Sipas tij, qeverisja e kësaj partie gjatë katër vjetëve të fundit ka qenë e dështuar dhe ka dëmtuar raportet me aleatët ndërkombëtarë.
“Në asnjë rrethanë s’ka bashkëpunim me Lëvizjen Vetëvendosje. Po flasim për një parti që ka keqqeverisë për katër vjet, s’e ka realizuar asnjë premtim. AAK-ja ka pasur traditë të mos ketë vija të kuqe me asnjë parti, tani ka vija të kuqe vetëm për Lëvizjen Vetëvendosje për shkak të keqqeverisjes dhe dëmtimit të raporteve me SHBA-në”, ka deklaruar Demhasaj në KTV.
Demhasaj ka thënë se qëndrimi i AAK-së bazohet në nevojën për qeverisje më të përgjegjshme dhe në respektimin e partneriteteve strategjike të Kosovës, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
