Kryesuesja e delegacionit vëzhgues nga KiE, Petra Bayr, ka vlerësuar pozitivisht procesin zgjedhor në Kosovë, duke përgëzuar votuesit dhe komisionarët për organizimin. Ajo megjithatë theksoi nevojën për pastrimin e listave të votuesve dhe kushteve për personat me aftësi të kufizuara
Kryesuesja e delegacionit vëzhgues nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, Petra Bayr, ka thënë se ka përshtypje kryesisht të mira lidhur me procesin zgjedhor të 9 shkurtit.
Ajo, të hënën ka theksuar se votuesit në Kosovë shprehën përkushtimin ndaj demokracisë duke votuar paqësisht dhe në mënyrë të qetë.
I ka përgëzuar po ashtu komisionarët dhe vëzhguesit për bashkëpunimin me njëri-tjetrin, duke e lënë anash gjuhën e urrejtjes të përdorur nga udhëheqësit politikë.
Por Bayr ka deklaruar se problem mbetet mospastrimi i listave të votuesve.
“Autoritetet duhet të adresojnë problemin me listat e votuesve, të cilat duhet të jenë të sakta dhe të reflektojnë realitetin për votuesit brenda por edhe jashtë Kosovës. Pasaktësitë në regjistrin civil çuan në lista të vjetërsuara gjë që e hap rrugën për mungesë besimi dhe frikë për mundësi të manipulimit”, ka thënë ajo.
Ajo ka dhënë sugjerime edhe sa i përket ofrimit të kushteve më të lehta për votim për personat me aftësi të kufizuara.
“Masa adekuate për të siguruar qasje për persona me aftësi të kufizuara ose me lëvizshmëri të kufizuar duhet të implemtentohen në të gjitha Qendrat e Votimit për të garantuar qasje në një të drejtë themelore, ajo për të votuar”, ka shtuar Bayr.
Si proces pozitiv, Bayr e ka konsideruar edhe pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet parlamentare, të cilët sipas saj, patën para vetes një gamë të gjerë opsionesh politike.
Delegacioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për zgjedhje në Kosovë angazhoi 24 vëzhgues nga 18 anëtarë të Asamblesë Parlamentare, por edhe përfaqësues të Komisionit të Venecias.
Ku delegacion, do të dalë edhe me një raport për procesin zgjedhor.
Ky delegacion ishte pjesë e mbi 450 vëzhguesve ndërkombëtarë nga ambasada e organizata të ndryshme, që ishin të pranishme gjatë të dielës, për të përcjellë nga afër procesin zgjedhor në Kosovë.