Inspektorati Policor i Kosovës ka nisur hetime rreth dyshimeve për rrjedhje të informacioneve lidhur me operacionin e Policisë kundër kontrabandës me mallra në veri. Instituti i Kosovës për Drejtësi beson që zbulimi i fshehtësisë së aksionit të së mërkurës është bërë nga persona brenda Policisë. IKD-ja vlerëson se kjo ka pak shanse të ketë ndodhur nga prokurorë apo gjyqtarë serbë të integruar në sistemin e drejtësisë të Republikës së Kosovës
Mëngjesi i së mërkurës në veri të Mitrovicës, sipas banorëve, ishte krejtësisht ndryshe nga mëngjeset e zakonshme që përcillen me lëvizje të shumta të qytetarëve. Banorët e kësaj ane kanë rrëfyer për KOHËN në kushte anonimiteti se orët e hershme të kësaj dite ishin shumë të qeta e me pak qarkullim. Kjo, sipas tyre, i bëri të dyshojnë se serbët ishin të informuar paraprakisht për aksionin e policisë kundër kontrabandës me mallra, i cili do të duhej të mbahej i fshehtë.
E, dyshimet se dikush i informoi të dyshuarit për planin policor i konfirmoi vetë drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti.
Ndërsa, një ditë pas aksionit, Inspektorati Policor i Kosovës ka nisur hetimet e para për rrjedhjen e informacioneve.
“IPK-ja sipas detyrës zyrtare ka filluar një hetim preliminar me dyshimin për zbulim të paautorizuar të informacionit për operacionin policor të datës 13.10.2021, të zhvilluar nga PK-ja në Mitrovicën e Veriut”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni për KOHËN.
Përgjegjës për zbulimin e aksionit, drejtuesi i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, e bën Policinë.
“Informacionin më të madh e kanë Policia, sepse në Polici bëhet plani operativ dhe aty është një numër i caktuar i policëve të cilët e dinë saktë kur e caktojnë orën, e dinë saktë sa policë do të marrin pjesë në aksion, në cilat vende. Kështu që është e pamundur që gjyqtari ta dijë saktë se cilat objekte do të bastisen, në ora sa. Andaj potencialisht në këto rastesh rrjedhja e informacioneve mund të jetë më shumë nga Policia sesa nga prokurori apo gjyqtari”, thekson Miftaraj.
Ai vlerëson se ka pak gjasa që informacionet të kenë rrjedhur nga prokurorët dhe gjyqtarët serbë.
“Pothuajse që nga koha kur Prokuroria dhe gjyqtarët serbë janë integruar në sistemin e drejtësisë të Republikës së Kosovës kanë qenë të pakta ose fare hiç kur ka pasur rrjedhje të informacionit apo ka pasur zbulim të fshehtësisë zyrtare. Përderisa të njëjtën nuk mund ta themi edhe për institucionet e tjera kryesore në Prishtinë, për shembull në Prokurorinë Speciale, në zyrën e Prokurorit të Shtetit në Prokurorinë Themelore në Prishtinë”, shton Miftaraj.
Në operacionin e së mërkurës kundër kontrabandës me mallra në Mitrovicën e Veriut dhe Zveçan, sipas Policisë, për shkak të protestuesve të dhunshëm ka dështuar përfundimi i kontrolleve në tetë lokacione, nga nëntë sa kishin qenë cak. Në lidhje me rastin janë shoqëruar në polici tetë të dyshuar, pesë prej të cilëve pas intervistimit janë dërguar në mbajtje, ndërsa tre të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt.
Aksioni është zhvilluar njëkohësisht edhe në Komunën Jugore të Mitrovicës, Prishtinë dhe Pejë.