Arbëri

Deklaratat rreth rastit Dehari, Kurteshi thotë se u ftua për intervistim nga Prokuroria Speciale

Sami Kurteshi - konference per rastin e Astrit Deharit

Sami Kurteshi

Foto: Alban Bujari

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, ka njoftuar të hënën se ka pranuar ftesë nga Prokuroria Speciale për marrje në pyetje në lidhje me deklaratat e bëra në konferencën për media të mbajtur javën e kaluar lidhur me vdekjen e Astrit Deharit.

Ai ka thënë se thirrja është bërë për të martën e 20 gushtit. 

Me rastin e thirrjes nga ky organ, Kurteshi ka shtruar dy pyetje, nëse po punohet në hetime “të njëmendta” për rastin Dehari, apo nëse po bëhen përpjekje për, siç ka thënë ai, humbje të gjurmëve.

“Pas marrjes në pyetje të Ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu nga Prokuroria Speciale si dëshmitare për rastin, pas deklarimit publik në rrjetet sociale, në lidhje me rastin A. Dehari, po për deklarimin publik në konferencë për media për rastin Dehari, më thërrasin për marrje në pyetje edhe mua! Kjo sjellje e prokurorisë në thelb nxjerr dy pyetje thelbore: A po ri-fillon hetimi i njëmendtë i rastit A. Dehari nga Prokuroria Speciale? Apo po bëhet përpjekje e njëmendtë për humbje të gjurmëve të vrasjes së Astritit? Sidoqoftë, drejtësia për Astritin do të arrijë! Koha vonon, por e drejta nuk shuhet! E drejta domosdo del në shesh”, ka shkruar ai. 

Postimi i Kurteshit:

 

Në konferencën e mbajtur javën e kaluar, Kurteshi ka implikuar ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryekuvendarin Kadri Veseli, në rastin e vdekjes së Astrit Deharit. Kurteshi ka thënë se të përfshirë në “inskenim” të këtij rasti kanë qenë edhe Policia, Prokuroria dhe AKI-ja.