Bashkimi Evropian ka publikuar deklaratën pas Samitit të mbajtur me liderët e Ballkanit Perëndimor të mërkurën në Bruksel.
Në deklaratë thuhet se partneriteti strategjik mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor është më i rëndësishëm se kurrë dhe se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE.
E është përmendur edhe mungesa e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Është thënë se kjo po i pengon të dy partnerët. Është thënë se duhet zbatuar marrëveshjet, veçanërisht ajo e Brukselit dhe aneksi i Ohrit. Palëve u është bërë thirrje të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog.
“Mungesa e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit po i pengon të dy partnerët. Marrëveshjet e arritura në dialogun Beograd-Prishtinë të ndërmjetësuar nga BE-ja duhet të zbatohen, në veçanti Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit dhe Shtojca e saj. BE-ja rikujton se një parakusht për mbështetjen në kuadër të Instrumentit të Reformës dhe Rritjes për Ballkanin Perëndimor është që palët të angazhohen në mënyrë konstruktive me progres të matshëm dhe rezultate të prekshme në normalizimin e marrëdhënieve të tyre”, thuhet në deklaratë.
BE-ja ka mirëpritur “vendosmërinë e partnerëve të Ballkanit Perëndimor për të respektuar dhe për t'u përkushtuar ndaj vlerave dhe parimeve thelbësore evropiane, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe angazhimin e ritheksuar ndaj përparësisë së demokracisë, të drejtave dhe vlerave themelore dhe sundimit të ligjit.
“Sundimi i ligjit, liria e shprehjes, media e pavarur dhe pluraliste, barazia gjinore dhe një rol i fuqishëm i shoqërisë civile janë vendimtare për të garantuar funksionimin e demokracisë. Në këtë aspekt, veprimet do të flasin më shumë se fjalët pasi partnerët marrin përgjegjësitë dhe zbatojnë reformat e nevojshme, veçanërisht në fushën e aspekteve bazë. BE-ja u bën gjithashtu thirrje partnerëve të garantojnë të drejtat dhe trajtimin e barabartë të personave që u përkasin pakicave. Ne do të vazhdojmë të mbështesim përpjekjet e partnerëve tanë për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin”, thuhet në deklaratë.
BE-ja ka thënë se është e përkushtuar që ta afrojë Ballkanin Perëndimorë tek ajo, ndërsa ka shtuar se plani i rritjes ka potencial për ta dyfishuar rritjen ekonomike në rajon gjatë dekadës së ardhshme.
“BE-ja do të vazhdojë të mbështesë partnerët e saj të Ballkanit Perëndimor për të ndihmuar në zbutjen e ndikimit që lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës ka në ekonomitë, shoqëritë dhe sigurinë e tyre. Ne do të vazhdojmë mbështetjen tonë përmes Instrumentit të Asistencës së Para-anëtarësimit, Planit Ekonomik dhe të Investimeve, Paketës së Mbështetjes së Energjisë, Instrumentit Evropian të Paqes”, u tha në deklaratë.