Arbëri

Dega e LDK-së në Shtime shpreh dyshime për prani të “trenit bullgar” gjatë votimit

QKN Prishtine

Foto: Driton Paçarada

Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Shtime ka shprehur shqetësimin dhe pakënaqësinë për “stërzgjatjen” e procesit të numërimit të votave. 

LDK-ja në Shtime ka thënë se procesi zgjedhor është goditur nga dyshime shumë serioze “për prani të ‘trenit bullgar’ gjatë votimit më 9 shkurt, që ka ngritur shqetësime për ndërhyrje të jashtme”. 

“Gjithashtu ka dëshmi për pranin e disa fletëvotimeve të pavulosura. Të gjitha këto parregullsi jo vetëm që dëmtojnë besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor, por krijojnë perceptimin e një përpjekjeje për manipulim të rezultateve. Dega e LDK-së në Shtime i bënë thirrje organeve kompetente për ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme për të siguruar përfundimin efektiv dhe transparent të procesit zgjedhor që është në interes të publikut, duke përfshirë hetimin e plotë të këtyre parregullsive dhe keqpërdorimit eventual të vullnetit qytetarë!” – është thënë nga LDK-ja. 

KOHA ka mësuar se në dy vendvotime në Shtime janë gjetur tri vota të pavulosura ndërsa ishte votuar subjekti i Lëvizjes Vetëvendosje. Dy janë hasur në vendvotimin 2206/01 dhe një në vendvotimin 2211/01. Po ashtu është thënë se gjatë numërimit të votave për LVV-në është hasur një votë e pavlefshme që i kishte pasur të rrumbullakuara 3 subjekte politike.