Arbëri

Davenport: Ngjarjet e fundit dëshmojnë urgjencën për kthim në dialog

Michael Davenport

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, ka thënë se ngjarjet e fundit kanë dëshmuar për urgjencën e kthimit në dialog. 

Ai i është referuar mbylljes së filialeve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës e po ashtu të propozimit për hapjen e Urës së Ibrit për qarkullim të veturave.  Ai ka thënë se dyja çështjet duhet të zgjidhen në Bruksel.

“Ngjarjet e fundit – mbyllja e zyrave postare në komunat veriore dhe propozimet e reja për hapjen e urës në Mitrovicë për trafik  – kanë nënvizuar urgjencën e kthimit në dialog. Të dyja këto çështje duhet të zgjidhen në procesin e udhëhequr nga BE-ja. Por, ky duhet të jetë dialog i fokusuar për përmirësimin e jetëve të njerëzve të zakonshëm në Kosovë dhe për rritjen e perspektivës së të rinjve nga të gjitha komunitetet për të jetuar, punuar dhe rritur familjet e tyre këtu”, ka shkruar Davenport në platformën “X”.