Jeta Loshaj nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ka thënë se lobimi i Serbisë për të shpërndarë narrativën e saj të rrejshme lidhur me Kosovën, ka pasur sukses.
Megjithatë, sipas saj, në Britaninë e Madhe nuk ka arritur të depërtojë kjo narrativë.
“Lobimi i Serbisë në këtë aspekt fatkeqësisht ka dëshmuar që ka arritur ta shpërndajë me një lloj suksesi narrativën e saj të gabuar sa i përket intervenimit në Kosovë. Mendoj se fatmirësisht deri tash në Britaninë e Madhe nuk ka arritur të depërtojë pasi që pa marrë parasysh që po e shohim që të paktën në politikën e Trumpit po kërkohet diçka në shkëmbim për të marrë diçka nga një shtet i fuqishëm siç është Amerika, Britania e Madhe nuk ka kërkuar diçka në shkëmbim”, ka thënë ajo të mërkurën në “Konfront” të KTV-së.
Loshaj tutje e ka përmendur edhe mbështetjen e këtij vendi për Kosovën sa i përket anëtarësimit në KiE pa kushte, ndryshe nga shtetet e tjera.
“Vitin e kaluar kur ishte vota për Këshillin e Evropës ka qenë i vetmi shtet që na ka mbështetur për anëtarësim pa kushte në krahasim me shtetet e tjera. Nuk ka kërkuar domosdoshmërisht që të dërgohej drafti i Asociacionit në Kushtetuese, madje me aq sa kam parë kanë qenë diku 90 për qind e delegatëve që janë në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës për ta mbështetur Kosovën. Kjo është një dëshmi që deri tash na kanë mbështetur shumë mirë, por ne duhet të mundohemi t’i mbajmë ato raporte edhe në vazhdimësi”, është shprehur ajo.
Maloku: Politika e jashtme e Kosovës vazhdon të funksionojë me rregullin e kaosit
Gazetari Rexhep Maloku ka thënë se politika e jashtme e Kosovës vazhdon të funksionojë me rregullin e kaosit.
Sipas tij, zyrtarët përgjegjës për politikën e jashtme flasin me gjuhë konspirative thuajse gjithçka varet nga Kosova sa i përket gjeostrategjisë dhe gjeopolitikës së botës.
“Ne vazhdojmë të funksionojmë jo vetëm në politikën e jashtme, por edhe në aspiratën tonë për integrim evropian me njëfarë rregulli të kaosit, madje është për keqardhje që qoftë madje edhe nëpër studio, krijohet përshtypja prej zyrtarëve përgjegjës për politikën tonë të jashtme ne flasim për politikën tonë të jashtme ne flasim me një gjuhë konspirative thuajse ne jemi qendra e botës dhe gjithçka sillet rreth nesh dhe ata e kanë me domosdo që të merren me ne, pasi ne mund t’i prishim balancat gjeostrategjike dhe gjeopolitike të botës. Rreziku mendoj është se ne mund të krijojmë një shkëputje, pasi po ik edhe një gjeneratë e ish-diplomatëve britanikë që sot janë në moshë dhe nuk janë pjesë e vendimmarrjes”, ka thënë ai.
Pula: Presidentja do të duhej ta shpallte qytetare nderi deputeten britanike, Alicia Kearns
Analisti Shqiprim Pula mendon se presidentja e Kosovës do të duhej ta shpallte deputeten britanike, Alicia Kearns, qytetare nderi për kontributin e saj për Kosovën.
Ai ka thënë se Ministrisë së Jashtme të Kosovës i mungon një dokument gjithëpërfshirës për ndërtimin e marrëdhënieve të shëndosha me shtete aleate që e kanë ndihmuar Kosovën nëpër etapa të ndryshme. Sipas tij, institucionet kanë bërë politikë të jashtme euforike dhe se janë sjellë sipas rrethanave që janë krijuar.
“Në korrikun 2023 në Parlamentin britanik në një fjalim, Alicia Kearns ka mbajtur një fjalim pompoz me informacione të rëndësishme që i zbuloi., kontrabandimin e armëve që hynin nga Serbia, keqpërdorimin e autoambulancave me të cilat janë bartur armatime dhe ka zbuluar se një numër armatimesh janë fshehur nëpër kisha serbe ortodokse. Presidenca do duhej që Alicia Kearns ta shpallte qytetare nderi të Republikës së Kosovës për kontributin e saj të jashtëzakonshëm sa i takon ruajtjes së rendit dhe sigurisë”, ka thënë Pula në “Konfront”.
Dauti: Deklarata e sekretarit Lammy se Britania është mike e Kosovës, domethënëse
Historiani Daut Dauti ka thënë se deklarata e sekretarit të Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy se Britania është mike e Kosovës, ka domethënie të madhe.
Të mërkurën në “Konfront” të KTV-së, Dauti ka thënë se siguria është arsyeja që e shtyn Britaninë e Madhe të mbajë lidhje të forta miqësie me Kosovën.
Sipas tij, politikanët në vend nuk i marrin seriozisht sa duhet fjalët e zyrtarëve të lartë britanikë kur e vizitojnë Kosovën.
“Ndryshimi i madh që ka ndodhur pas shpërbërjes së Jugosllavisë dhe shpërbërjes së paktit të Varshavës dhe rënies së komunizmit, gjegjësisht socializmit në lindje, janë ndryshuar aleatët dhe Britania e Madhe ka filluar ta shohë Kosovën si digë që do t’i parandalonte deportimet sllave në Ballkan së bashku me Shqipërinë, por edhe shtetet tjera si Maqedoninë dhe Malin e Zi. Këto politika kanë dalë nga Tony Blair që po zbatohen deri tash mu ashtu siç i ka themeluar Blair. Nuk ka pasur ndonjë ndryshim të madh dhe fjalët që i thonë ata që e vizitojnë Kosovën, pra zyrtarët e lartë britanikë mendoj se merren pak seriozisht nga analistët apo politikanët. David Lammy sot tha se Britania e Madhe është miku kryesor, më i rëndësishëm dhe më i mirë i popullit të Kosovës, kjo ka një domethënie të madhe pasi diplomatët e një shteti si Britania e Madhe nuk flasin fjalë që nuk mund t’i mbrojnë. Është një lidhje shumë e mirë dhe pas kësaj lidhje shumë shoqërore dhe shumë miqësore, dhe arsyeja është siguria që e shtyn Britaninë e Madhe të miqësohet me Kosovën”, ka deklaruar ai.