Arbëri

Dashevci: Ura duhet të hapet, në veri ka qetësi të pakrahasueshme me vitet e kaluara

Eksperti i sigurisë dhe kriminalistikës, Arben Dashevci, ka thënë se situata e sigurisë në veri të Kosovës nuk ka qenë asnjëherë më e qetë dhe se ura mbi lumin Ibër duhet të hapet. 

Të mërkurën në një intervistë në emisionin “60 Minuta” në KTV, ai ka thënë se mendon që edhe qytetarët kanë disponim për hapjen e urës.

“Ura duhet të hapet, duke marrë parasysh që komponentët e sigurisë tashmë janë plotësuar, është tentim për të kaluar në fazën e dytë, që është faza ekonomike, socio-ekonomike për të gjithë qytetarët matanë lumit Ibër, janë hapur edhe ca biznese dhe në të dy anët e Ibrit po funksionon edhe tregtia”, ka theksuar Dashevci.

Ai ka deklaruar se për këtë duhet të ketë edhe koordinim me ndërkombëtarët. 

“Ura duhet të hapur gjithsesi, por edhe koordinimi nuk ka alternativë dhe vula e koordinimit, edhe në aspektin e sigurisë është edhe vizita e drejtorit të CIA-s që e ka bërë në Kosovë dhe rajon për ta stabilizuar situatën e sigurisë e pastaj të flitet edhe për gjera të tjera”, është shprehur Dashevci.
Sipas tij vizita e tij e ka qetësuar Kosovën dhe Ballkanin. 

“Nuk ka incidente etnike, ka një qetësi të pakrahasueshme me vitet e kaluara, po ambientohemi në këtë siguri dhe po koordinohemi e koordinimi po shkon si më së miri dhe kështu duhet të vazhdohet ... Ka klimë dhe ambient për hapjen e urës ka pasur edhe më herët, ka edhe tash dhe edhe nesër hapet  ka ambient, por partnerët tanë strategjikë në këtë rast SHBA-ja, që po insiston në koordinim, sepse asnjëherë askush nga ta nuk ka qenë kundër hapjes, gjithmonë kanë kërkuar koordinim për mënyrat se si do të hapet, mendoj që diplomacia do ta gjejë atë rrugën se si do të hapet”, ka theksuar Dashevci.

Ai ka deklaruar se situata në veri është tejet e qetë dhe sipas tij, qytetarët janë duke u mësuar me stabilitetin që po mbizotëron. 

“Njeriu nganjëherë nuk mundet edhe ta besojë këtë relaks, sepse qytetarët janë bindur tashmë se çfarë paskan vuajtur nga ata persona që e kanë destabilizuar këtë vend dhe kanë shkaktuar pasiguri të madhe dhe tash praktikisht po duhet adaptim me këtë stabilitetin, duke pasur parasysh që 23 vjetët e kaluara i ke pasur në destabilitet. Ata që po e vizitojnë Mitrovicën nga qytetet e tjera nuk po mund ta besojnë këtë realitet ose këtë të vërtetë”, ka theksuar Dashevci. 

Sipas tij incidente që aktualisht po ndodhin në veri, ndodhin edhe në pjesë të tjera të vendit. 

"Ka incidente sporadike, ka parulla që shkruajnë disa persona, ka prona që sulmohen, ka vetuar që po digjen, por edhe në qytetet e tjera ka incidente të tilla, por ajo që është e rëndësishme situata është në kontroll dhe incidentet po hetohen nga instancat e sigurisë. Vigjilencë ose maksimalitet më të madh në aspektin e sigurisë se deri më tash, unë nuk e di se kur ka pasur në këtë pjesë të Republikës së Kosovës”, është shprehur Dashevci.