Arbëri

Dashevci: Të shqyrtohet zotimi i 2013-s për dërgimin e FSK-së në veri

Arben Dashevci, ekspert i kriminalistikës, është shprehur se mundësia për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në veri duhet të shqyrtohet, pasi sipas tij, situata nga viti 2013 deri më tani ka ndërruar rrënjësisht.

Ai ka thënë të enjten në “60 Minuta” të KTV-së se FSK-ka ka kapacitet më të madh nga 2013-a, e sipas tij, ky institucion është në vitet e fundit për operacionalitet të plotë.

“Duhet shqyrtimi i asaj letre të 2013-s ku gjërat kanë ndërruar rrënjësisht...E dimë se jemi në vitet e fundit të FSK-së për operacionalitet të plotë. Duhet të rishqyrtohet gjithsesi, por duhet të rishqyrtohet me misionin e NATO-s në Kosovë ose direkt me NATO-n. Vetëm koordinimi me ta na çon atje ku po duam ne, në NATO dhe askund tjetër”, ka thënë Dashevsi.

Ai ka theksuar se çdo hap për dërgimin e FSK-së në veri duhet të bëhet me koordinim dhe bashkëveprim me NATO-n, pas sipas Dashevcit, Kosova s’ka alternativë tjetër për ruajtjen e sigurisë.

“Në Strategjinë e Kosovës për Sigurinë, e shkruar më 11 nëntor të 2022-s shkruhet se të gjitha bashkëveprimet bëhen me SHBA-në. Në këtë rast me NATO-n dhe partnerët strategjikë. E çdo rizotim ose bashkërendim duhet të jetë në koordinim me reaguesin e parë...Është për t’u përshëndetur pasi garantuesit e paqes dhe në Ballkan janë në Kosovë. Pra, është vetëm në të mirë të Kosovës nëse është KFOR-i aty. Kapacitetet tona ende s’janë përmbushur, por ajo që na inkurajon më shumë është se edhe raporti vjetor i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, nuk e sheh Kosovën si vëzhguese, por si anëtare të Asociuar të NATO-s”, ka thënë eksperti i kriminalistikës.

Sipas tij, situata e sigurisë në Kosovë është e brishtë me mundësi eskalimi.

“Shpresojmë që do të ndalen destabilizimet. Të ndalet lufta në Ukrainë. Jemi në shpresë që të mbarojë edhe provokimi i Serbisë që të bëhet marrëveshja finale dhe të kemi qetësinë tonë, pasi jemi shtet e këtu s’ka kthim prapa. Proceset e Kosovës nuk ndalen”, ka shtuar Dashevci.