Eksperti i kriminalistikës, Arben Dashevci, e ka cilësuar të duhur vendimin e Qeverisë për prodhimin e municionit, duke thënë se vendi po punon në plotësimin e kapaciteteve operacionale edhe më shpejt sesa që presin aleatët.
Të mërkurën në “60 Minuta” të KTV-së, Dashevci ka thënë se nëse krahasohet me vendet e rajonit, Kosova qëndron në një hap të mirë në aspektin e sigurisë dhe mbrojtjes.
Derisa ka folur për sigurinë në komunat veriore, Dashevci ka thënë se nuk ka mundësi për destabilizim të situatës deri në një sulm sikurse ai i Banjskës vitin e kaluar.
“Në aspektin e sigurisë dhe mbrojtjes kjo do të thotë shumë sepse Kosova importon gjithmonë armatime nga NATO andaj një ditë vjen edhe koha që ato pjesë të cilat i blen, mund t’i prodhosh edhe në shtetin tënd që është shumë mirë në aspektin e sigurisë, sepse gjithçka është pozitive, duke pasur parasysh gjeopolitikën e atë se çfarë po ndodh në botë. Nëse e krahasojmë me vendet e rajonit jemi në një hap shumë të mirë në aspektin e sigurisë dhe mbrojtjes, por në aspektin e sigurisë nacionale kur ti ke këtë tempo të përkushtimin në operacionalitet, mbetem i impresionuar sepse po plotësohen ato kapacitetet operacionale edhe më shpejtë sesa po presin aleatët. Në katër komunat mëtanë lumit Ibër, kjo pjesë ende qëndron në atë stadin me ngjyrë portokalli, është e qetë dhe e brishtë, por me mundësi tentim tensionimi. Është ngushtuar rrethi i atyre që tentojnë ta destabilizojnë situatën, një Banjskë e dytë apo sulm i ngjashëm nuk mund të jetë më në ato përmasa”, ka thënë ai.